E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në Tiranë, lirohet i dyshuari nga policia

Astrit Vladi, i dyshuar për atentatin dhe Pavlin Marku, viktima e ngjarjes

Lirohet nga qelitë e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Astrit Vladi, personi që u arrestua dy ditë më parë si i dyshuar për vrasjen e Pavlin Markut.Prokuroria ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të 34-vjeçarit, duke e cilësuar arrestimin e tij si të pabazuar në prova që mund ta implikonin atë në vrasjen e të riut nga Puka. Sipas burimeve nga organi i akuzës, arrestimi i Astrit Vladit është kryer pa u konsultuar fillimisht me prokurorin dhe ky veprim rrezikon hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe zbulimin e autorit. Të njëjtat burime thanë se policia është bazuar vetëm në dëshminë e mikut të ngushtë të viktimës dhe familjarëve, që tregonin për një konflikt fizik mes tij dhe Astrit Vladit, si dhe një mesazh telefonik kërcënues të gjetur në telefonin e Markut. Por, sipas prokurorisë, këto nuk mund të jetë prova të mjaftueshme për arrestimin e një të dyshuari, në një kohë që ai ka edhe një alibi mjaft të fortë, që është e dokumentuar edhe nga kamerat e sigurisë së lokalit ku ai ndodhej në kohën kur ndodhi vrasja. Dy ditë më parë, Policia e Tiranës doli në një deklaratë për shtyp dhe u shpreh zyrtarisht se është arrestuar autori i dyshuar për vrasjen e Pavlin Markut, mbrëmjen e 16 gushtit tek Kthesa e Kamzës në kryeqytet. Madje, policia deklaroi gjithashtu se vrasja është kryer në bashkëpunim dhe po punohet për identifikimin e autorit të dytë. Ndërsa dje, hetimet u rikthyen nga e para, pasi me lirimin e Astrit Vladit, vrasja e Pavlin Markut ngeli sërish pa autor.

ALIBIA
Përveç provave të pamjaftueshme që nuk justifikonin arrestimin e Astrit Vladit me akuzën e vrasjes, i dyshuari kishte edhe një alibi të cilën e sqaroi gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore. Astrit Vladi në deklarimet e tij pranoi të kishte pasur një konflikt fizik me viktimën, Pavlin Markun, por nuk pranoi në asnjë moment akuzën e ngritur ndaj tij. Ai sqaroi gjatë dëshmisë së tij se në kohën që Marku është vrarë, ka qenë duke pirë kafe në një lokal tek Kullat Binjake, në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Madje, familja dhe avokati i Vladit kishin arritur të siguronin edhe pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë së Kullave Binjake, ku dukej qartë 34-vjeçari Vladi, i shoqëruar nga një mikeshë e tij, duke dalë nga lokali. Në pamje dukej qartë edhe data, edhe ora, që kishin një diferencë mjaft te vogël minutash me kohën kur ka ndodhur vrasja. Kjo do të thoshte se i dyshuari nuk mund të kishte qenë njëkohësisht në dy vende, me një distancë të largët nga njëra-tjetra, në një diferencë prej 10 minutash.

Prokuroria
Organi i akuzës deklaronte dy ditë më parë se nuk kishte asnjë dijeni në një kohë kur Drejtoria e Policisë së Tiranës në deklaratë për median njoftoi arrestimin e të dyshuarit për vrasje. Organi i akuzës theksoi se nuk ishte njoftuar për arrestimin e Astrit Vladit dhe policia nuk ishte konsultuar më prokurorin. Një ditë më pas, me të marrë materialet hetimore nga policia, prokuroria ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm nga burgu për të dyshuarin, me argumentin se ndaj tij ende nuk ka prova të mjaftueshme për ta mbajtur në burg.

Këngëtari Arif Vladi: Pamje filmike për pafajësinë

I ndaluari nga policia e Tiranës për vrasjen e Pavlin Markut është nipi i këngëtarit të njohur Arif Vladi. Dy ditë më parë, këngëtari Arif Vladi theksoi se policia ishte gabuar me nipin e tij. Vladi theksoi se nipi i tij ka qenë duke pirë kafe dhjetë minuta para ngjarjes dhe ka qëndruar rreth 2 orë në një lokal tek Kullat Binjake dhe gjithçka është e dokumentuar. I kam parë kasetat me pamjet filmike, që janë regjistruar nga kamerat e sigurisë së lokalit dhe aty duket data e ora e saktë. Astriti nuk ka se si të jetë autor i ngjarjes, pasi ndodhej shumë larg vendit ku ndodhi vrasja, është shprehur këngëtari Vladi në një prononcim për gazetën Panorama. Nga ana tjetër, ai tregon se konflikti mes nipit të tij dhe viktimës ka nisur për makinën e tij, që Marku ia kishte blerë, por nuk i jepte paratë. Madje, shpjegon se ka pasur edhe një konflikt fizik mes nipit të tij dhe viktimës. Astriti ka pasur një përballje fizike me Pavlinin disa ditë më parë, por ai nuk mund të arrinte kurrsesi deri në vrasje. Arrestimi i nipit tim nuk është i mbështetur në asnjë provë. Ai u paraqit vetë në polici, pasi i telefonoi një oficer, të cilit ia kishim dhënë numrin ne familjarët, kur ndodheshin tek Drejtoria e Policisë, shtoi Vladi. Ai tregoi gjithashtu se Pavlin Markun e kishte njohur nëpërmjet një të afërmit të këtij të fundit, me të cilin kishte qenë në shkollë tek Akademia e Arteve. Gjithashtu, këngëtari Arif Vladi ngushëllon familjen Marku për humbjen e njeriut të tyre të afërm.

ETLEVA DELIA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›