E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Vrasjet e 21 janarit/ Gjykata e Strasburgut: Aleks Nikën e vrau shteti, të zbardhet krimi dhe të dënohen autorët

Vrasja e Aleks Nikës në protestën e 11 janarit nuk është zbardhur dhe shteti është fajtor për ngjarjen, sepse Garda Kombëtare përdori forcën vdekjeprurëse, në kundërshtim me Konventën Evropiane. Në këtë përfundim ka dalë Gjykata e Strasburgut, pasi mori në shqyrtim padinë e dorëzuar nga familjarët.

GJYKATA E STRASBURGUT

 

“Gjykata vëren se hetimi është ende i hapur. Në këtë drejtim, gjykata konsideron se autoritetet duhet të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të zbardhur rrethanat e vdekjes të Aleks Nikës dhe identifikimin dhe ndëshkimin e përgjegjësve, sipas rastit.”

 

Gjykata e Strasburgut ka gjetur mangësi në procedurën e ndjekur nga Garda asokohe, për të qëlluar në ajër, për të shpërndarë turmën. Po ashtu, gjykata vëren se njësitë mbrojtëse ishin të paorganizuara dhe se armët e zjarrit u përdorën në mënyrë kaotike.

 

GJYKATA E STRASBURGUT

 

“Gjykata arrin në përfundimin se përdorimi i forcës vdekjeprurëse nga oficerët e Gardës Kombëtare, që rezultoi me vdekjen e të afërmit të ngushtë të aplikantëve, A.N., nuk ishte në përputhje me kërkesat e nenit 2 të Konventës. Gjykata ka konstatuar mangësi në kuadrin ligjor që rregullon përdorimin e armëve potencialisht vdekjeprurëse në lidhje me operacionet e kontrollit të turmës në përgjithësi, defekte serioze në planifikimin dhe kontrollin e ngjarjes në shqyrtim, dhe një dështim për të demonstruar se përdorimi i forcës vdekjeprurëse nga oficerët e Gardës Kombëtare që rezultoi në vdekjen e anëtarit të familjes së aplikantit ishte absolutisht e nevojshme, duke pasur parasysh rrethanat.”

 

Në vendim, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ngre dyshime se komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, ndryshoi tytën e pistoletës pasi kishte qëlluar për të mbuluar fajin.

 

GJYKATA E STRASBURGUT

“Ndryshe nga deklarata e tij fillestare, në të cilën ai nuk kishte përmendur se kishte gjuajtur me armë në ditën e protestës, Ndrea Prendi dyshohet se ka qëlluar 11 plumba në drejtim të një grupi protestues, duke vrarë një prej tyre. Aleks Nika dyshohet se qëndronte pranë këtij grupi protestuesish. Pas përfundimit të protestës, Ndrea Prendi dyshohet se ka ndërruar tytën e pistoletës së tij me atë të M.K., një shok i Gardës dhe të bashkëakuzuarit në procedurë – për të fshehur faktin që Ndrea Prendi kishte qëlluar me pistoletën e tij.”

Gjykata vëren se asnjëherë nuk është pretenduar se Aleks Nika përbënte kërcënim serioz. Po ashtu, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut nenvizon edhe faktin që një pjesë e madhe e video-regjistrimeve u fshinë menjëherë pas ngjarjes, ngre shqetësime serioze se veprimet kanë qenë e qëllimshme  për të fshehur të vërtetën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›