E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau djalin dhe nusen e tij burg pa afat

Gjykata e Elbasanit jep masën e sigurisë 'burg pa afat' për Engjëll Ucajn, i cili akuzohet për vrasjen e djalit të tij dhe bashkëshortes italiane.

Konflikti mes të atit dhe djalit, i cili ishte kthyer prej pak kohësh nga Itali, kishte nisur prej disa javësh duke degjenuar shpeshherë në dhunë fizike që viktima Sokol Ucaj ushtronte ndaj babait të tij Engjëllit.

Nëna e viktimës: Djali kërkonte para dhe rrihte të atin

Nëna e Sokol Ucajt, i cili u vra nga i ati në Elbasan, bashkë me bashkëshorten e tij italiane, duket se ka marrë në mbrojtje bashkëshortin, duke treguar para policisë dhunën e ushtruar nga djali ndaj 67-vjeçarit, e duke hedhur dyshimet se ai mund të ishte përdorues droge. Si e vetmja dëshmitare e konfliktit, veç bashkëshortit të saj, i cili kreu vrasjen e dyfishtë, ajo është marrë në pyetje nga grupi hetimor për të qartësuar motivet e krimit, para se prokuroria ta klasifikojë veprën penale të kryer nga Engjëll Ucaj, i cili do të përballet sot me togat e zeza të Gjykatës së Elbasanit për vlerësimin e masës së sigurisë.

Dëshmia e nënës

Sipas policisë, në dëshminë e saj, Rajmonda Ucaj ka deklaruar që shkak i grindjeve të vazhdueshme në familje mes të birit dhe të atit ishin paratë. “Sokoli kërkonte vazhdimisht para. Ne jetojmë me pensionet tona dhe nuk kishim ku t’i gjenim. Kërkesat e vazhdueshme ktheheshin në sherre dhe më pas djali përleshej me burrin. Situata ishte bërë e vështirë sidomos pas kthimit të tij nga Italia së bashku me vajzën që thoshte se e kishte nuse. Nuk e di nëse përdorte drogë, por kërkonte vazhdimisht para dhe kur nuk arrinte t’i merrte, kthehej dhe godiste të atin. Kishte më shumë se një muaj që gjendja ishte bërë e vështirë në familje. Disa herë kam tentuar t’i zbus gjakrat. Disa herë i kemi bërë thirrje djalit që të qetësohej e të na linte të qetë, por ai vazhdonte… Herën e fundit, situata është bërë mjaft e keqe, aq sa jemi detyruar të marrim policinë, pasi Sokoli e kishte goditur Engjëllin. Askush nuk donte të përfundonim në këtë situatë. Kemi qenë një familje e respektuar. Nuk e di nëse e bëri nusja që të sillej ashtu, por di të them se së fundmi duhet të mbanim me bukë italianen, bashkë me Sokolin, pasi ata vetë nuk kishin para”, mësohet se është shprehur Rajmonda Ucaj në lidhje me motivin e krimit të dyfishtë. Sipas saj, Engjëlli dukej qartë që kishte shenja në fytyrë, kur përfunduan në polici, por askush nuk e kishte parandaluar këtë krim. “Pas një ore u kthyen dhe filloi sërish sherri. Këtë herë Sokoli nuk e duronte faktin se pse e kishin thirrur në polici. Gjendja u rëndua dhe unë dola në korridor dhe mora policinë. Sapo zbrita shkallët për t’i orientuar, sepse situata nuk priste, u dëgjuan të shtënat. Ishte e kotë sepse gjithçka kishte ndodhur. Nuk munda të bëja asgjë. Më mirë të kisha vdekur dhe unë”, mësohet nga policia se është shprehur ajo para oficerit gjyqësor.

Hetimet e policisë

Duke vlerësuar dy dëshmitë e marra nga grupi hetimor, sipas policisë bie në sy fakti se dy versionet e dhëna, si ai i gruas dhe i bashkëshortit të saj përputhen në faktin se Engjëlli dhunohej nga i biri. Madje, edhe ai ka pranuar gjatë dëshmisë së tij se i biri i kërkonte para vazhdimisht dhe kur nuk merrte e dhunonte. “Isha nën ndikimin e dhunës së tij. Më kërkonte vazhdimisht para. Nuk e di për çfarë i donte paratë. Nuk munda dot ta shmang vrasjen. Të gjithë e panë ku kisha përfunduar. Unë, babai i tij, 67 vjeç, nuk munda ta duroja më. Kishte arritur kulmi”, mësohet se është shprehur ai, i cili ka fajësuar edhe policinë, që nuk i kanë mbajtur në qeli, me qëllim për të parandaluar krimin. Policia ka nxjerrë edhe një fakt tjetër në dritë, duke treguar se vajza italiane është vrarë mbi trupin e bashkëshortit të saj, kur ajo po qante mbi trupin e pajetë të tij. Kjo është përcaktuar si dinamikë e ngjarjes që solli dy viktima mbrëmjen e 30 janarit në lagjen “Sulë Papërri” të qytetit të Elbasanit.

Prokuroria

Tashmë dosja mbi ngjarjen i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Elbasanit. Vetë kryeprokurori Elvin Gogaj është duke drejtuar hetimet, i cili i ka nisur një relacion të detajuar bashkë me pasaportën e vajzës, ambasadës italiane, për të kryer edhe procedurat për marrjen në dorëzim të trupit të viktimës. Nga ana tjetër, duke marrë shkak nga dëshmia e nënës dhe babait është kërkuar që të bëhen edhe analizat për viktimën, për të vlerësuar nëse ai ishte përdorues droge. Prokuroria pritet që nesër të kërkojë “arrest me burg” ndaj 67-vjeçarit për veprën penale “vrasje në rrethana cilësuese”. Në rast se do të vërtetohet dhuna dhe përdorimi i drogës, atëherë kjo mund ta lehtësojë situatën e autorit të krimit. Prokuroria do të hetojë edhe precedentët e mëparshëm të 27-vjeçarit Sokol Ucaj edhe në shtetin italian si dhe vërtetësinë e martesës së tij me Giulia Baltassarri.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›