Vrau djalin me thikën e bukës/ Prokuroria e Tiranës mbyll hetimet, dërgon në gjyq 74-vjeçarin

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për ngjarjen e ndodhur në shkurt të këtij viti. Nga hetimet rezultoi, se më datë 1 shkurt 2025 pas një konflikti banal në kryeqytet babai ka goditur me thikë djalin e tij, ku si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë.
Shtetasi Hekuran Gjoni, i pyetur si person ndaj të cilit po zhvilloheshin hetimet, ditën e krimit ishte ulur për të ngrënë bukë, djali u ul po ashtu dhe nisi ta ngacmonte me fjalë. Ai është ndjerë keq dhe në një moment është acaruar dhe e ka qëlluar me shpullë në fytyrë. Më pas sipas tij, djali e kapi nga rrobat, dhe i ka thënë mos i gjuaj. Në këtë moment, ka ndërhyrë vajza e cila i ka thënë pse sillesh me babain kështu, dhe djali i ka dhënë asaj një të shtyrë të fortë, duke e rrëzuar përtokë. Në këtë moment ai është acaruar shumë, ka kapur thikën e bukës që ishte në tavolinë dhe e ka goditur djalin e tij një herë në bark (ije).
Nga hetimi rezultoi se në trupin e kufomës nga këqyrja e jashtme dhe e brendshme u konstatua një plagë prerëse shpuese depërtuese në anën e majtë të gjoksit, shoqëruar me çarje të mushkërisë së majtë, cipës mbështjellëse së zemrës në anën e majtë të majës së saj si dhe plagë prerëse në gishtat e të të dyja duarve. Shkaku i vdekjes së shtetasit është shoku i rëndë traumatik hemoragjik.
/ abcnews.al /