Vrau dy vetë në vitin 1997, dënohet me 25 vite burg
BURREL- Gjykata e Matit ka dënuar sot me 25 vjet burg Sali Barcin, akuzuar për vrasje të dyfishtë në vitin 1997.
Në serialin e hapjes së dosjeve të vjetra, prokuroria e Matit ka mundur të zbardhë dhe një vrasje të vjetër të dyfishtë të kryer para 12 vitesh nga shtetasi Sali Barci, i cili akuzohet se ka vrarë shtetasin Përparim Ibrahimi (Riza) dhe Artur Gjokola në qershor të vitit 1997, ngjarje e ndodhur në afërsi të stadiumit të qytetit.
Pikërisht pas 12 vitesh lënie në harresë në një dosje të firmuar "për mungesë autorësh", familjarët e Ibrahimit u kanë kërkuar organeve të larta të shtetit rihapjen e çështjes duke akuzuar personin në fjalë.
Ka qenë pikërisht prokurori i Matit Sabri Kastrati,i cili po krijon në përvojë të re në organin e akuzës shqiptare për të hetuar mbi ngjarje "kapak-mbyllura", duke zbërthyer misterin e një sërë vrasjesh të ndodhura në këto zona, sidomos në vitet 1997-98 e deri në vitin 2000,si zona më e prekur nga ngjarje të tilla kriminale.
Në gjyqin e sotëm familjarët e Ibrahimit kanë dëshmuar se që atëherë Sali Barci kishte kërkuar pajtim me familjen e viktimës duke iu drejtuar normave të Kanunit të malësisë,por nuk bihet në akord për pajtimin në mes këtyre familjeve, madje pak kohë më vonë vëllai i Përparim Ibrahimit i vret Sali Barcit djalin e vëllait, dhe ky pas kërkesës së bërë nga familjarët për rihapje të çështjes, rezulton i dënuar.
Pas kësaj vrasje kërkohet sërish pajtim në bazë të rregullave zakonore, por dhe kjo nuk ndodh dhe për këtë arsye Sali Barci ikën nga Shqipëria për në Angli për të bërë jetë të fshehtë atje.