Shkonin për mort, aksidentohen burrë e grua
MIRDITË- Shkonin për mort te punëtori kuksian që humbi jetën dje pas rënies nga vinçi në rrugën Durrës-Kukës, por një aksident për pak u ka kushtuar jetën.
Ngjarja ndodhi në autostradën katër kalimshme Rrëshen-Thirrë, për pak u ka marrë jetën dy bashkëshortëve të cilët udhëtonin në drejtim të Kukësit.
Burimet policore saktësuan se makina me targa TR 0014 R u përplas në hekurat anësore të rrugës, në vendin e quajtur Sang të Fanit të Mirditës duke sjellë plagosjen e rëndë të Ismet dhe Hajrie Mucmataj.
Sipas policisë ka qenë akulli i formuar në rrugë nga ngricat që po mbajnë këto ditë, por mendohet të ketë ndikuar dhe shpejtësia e madhe e automjetit pasi nga goditja e fortë janë depërtuar dhe hekurat anësorë mbrojtës.
Policia rrugore e Mirditës shkoi menjëherë në vendngjarjeje dhe këqyri vendin e aksidentit ndërkohë që të plagosurit u dërguan në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Nga ana tjetër policia bëri të ditur se ky aks prej afro 60 km nga Rrësheni në Thirrë nuk është marrë në dorëzim nga askush, dhe në këtë pjesë nuk ka fare patrullim rrugor, ndërsa kompania ndërtuese Bechtel-Enka e konsideron si punim të mbyllur, duke vazhduar punimet në tunelin Thirrë-Kalimash.
Kësisoj kjo pjesë rruge ka mbetur jashtë kontrollit policor, një rrugë që përshkohet me shpejtësi të mëdha,dhe nga jo pak automjete,pasi pos automjeteve të banorëve të zonës, jo pak automjete të tjera sidomos fuoristrada dhe makina të larta, kryejnë udhëtimin e tyre në drejtim të Kukësit e Kosovës përmes shtegut sipër tunelit tashmë të mbyllur.
*****
Bie vinçi, vdesin dy punëtorë të Durrës-Kukës
KUKËS- Dy punëtorë që punonin në ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës kanë humbur jetën.
Ngjarja ka ndodhur pasdite, kur viktimat kanë qenë duke punuar për montimin e një ure, por gjatë punës është shkëputur krahu i vinçit dhe ata kanë rënë poshtë.
Arben Muçmata, 40-vjeç nga fshati Shtiqen i rrethit të Kukësit, i martuar me tre fëmijë dhe maqedonasi Branko Cvetkov, 49-vjeç nga komuna Delçevo Maqedoni kanë mbetur të vdekur si pasojë e aksidenti në punë derisa po montonin trarët e urës së Myç-Mamëzit, të aksit rrugor Myç-Mamëz-Fushë-Dukagjin, të autostrades Durres-Kukes-Morin.
Ali Elezi, drejtor i policisë së qarkut të Kukesit ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00 në kantierin e kompanisë "Alb Building" tek ura e Myç-Mamezit. Gjashtë punëtore të kësaj kompanie, përfshi edhe dy viktimat kanë qenë në lartësitë e urës hipur mbi një tra, ndërkohë që vinçi i lëvizshëm e ka ngritur trarin për ta zhvendosur atë drejt montimit në këmbën e urës. Në këtë moment janë shkëputur nga trari Arben Muçmata dhe Branko Cvetkov duke rënë nga rreth 50 metra nga lartësia në asfaltin e rrugës ekzistuese. Dy viktimat e rënë nga lartësia kanë gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që katër punëtorët e tjerë kanë shpëtuar për mrekulli.
Burime të policisë bëjnë të ditur se janë shoqëruar dhe po merren në pyetje një grup personash të kompanisë "Alb Building", si drejtues të firmës, inxhinierë etj të cilët dyshohen se kanë përgjegjësitë e tyre lidhur me ngjarjen. Policia dhe prokuroria e Kukësit po hetojnë lidhur me akuzën për "Shkelje të rregullave të sigurisë në punë me pasojë vdekjen e dy shtetasve". Megjithatë ende nuk ka ndonjë të arrestuar nga policia lidhur me aksidentin në punë me pasojë dy viktima.