Vritet 20-vjeçari, policia në kërkim të autorit

TIRANË, 8 gusht/ATSH/ Një 20-vjeçar ka humbur jetën pasditen e sotme në Korçë, pas një konflikti mes disa personave që përfundoi me përdorimin e armës së zjarrit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:30, në lagjen nr. 15, në rrugën “Viktor Eftimiu”, ku pas konfliktit janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri.
Si pasojë, ka humbur jetën shtetasi me inicialet J. Z., rreth 20 vjeç, banues në lagjen nr. 14, Korçë.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, autori i dyshuar është identifikuar pas veprimeve të shpejta hetimore dhe operative, por është larguar nga vendngjarja menjëherë pas krimit.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të tij, kanë rrethuar zonën dhe po kryejnë kontrolle intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Ndërkohë, tre persona të dyshuar si të përfshirë në konflikt janë shoqëruar në Komisariat, ku po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën në vendngjarje për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, për të dokumentuar ligjërisht rastin dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e personave të përfshirë.
Hetimet vijojnë, ndërsa Policia po punon për kapjen e autorit të dyshuar.
/e.xh/a.f/