E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Vritet ekonomisti në Kurbin, nga atentati me armë plagoset edhe pronari i firmës së inerteve

Nga Altin Mema 

Një atentat mafioz ka tronditur Kurbinin mëngjesin e kësaj të shtune. Nga breshëritë e plumbave, është vrarë një person e një tjetër ka mbetur i plagosur.

Policia bëri të ditur se Ardjan Gjeloshi, pronar i një firme inertesh në Kurbin, është qëlluar me armë zjarri tip kallashnikov ku për pasojë ka mbetur i plagosur.

Por plumbat i kanë marrë jetën ekonomistit të këtij biznesi, Selman Mihana 70-vjeç, i cili ndërroi jetë në vend.

Shënjestra e atentatit ishte pronari i firmës Ardjan Gjeloshi, i cili është dërguar menjëherë në spitalin e Traumës.

Burimet tregojnë se ky i fundit ndodhet jashtë rrezikut për jetën, pasi është prekur nga dy plumba, një në dorë dhe një në pjesën e barkut.

Zëvendës drejtori i Policisë në Lezhë Gentjan Berberi ka dhënë detaje në lidhje me vrasjen.

“Sot është tentuar të vritet me armë zjarri shtetasi A.GJ si pasojë e të shtënave me armë humbi jetën S.M 70 vjeç. Kemi ndihmën e departamentit të policisë kriminale, jemi në veprimet e para. Dyshohet se është qëlluar me automatik. Autorët mendohet se kanë lëvizur me një mjet, po hetojmë hetimet, mosmarrëveshjet që ka pasur objektivi, pronari i firmës, i cili fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje janë gjetur rreth 20 gëzhoja. Viktima dhe i plagosuri janë qëlluar sapo kanë hyrë në zyrë”, tha Berberi.

Policia po heton konfliktet apo mosmarrëveshjet e pronarit të firmës së inerteve. Sipas burimeve, ai kishte probleme me biznesin e një familjeje tjetër.

Ndërkohë nuk përjashtohet as pista e gjakmarrjes, kjo për shkak se Ardjan Gjeloshi ishte i dyshuar së bashku me vëllain e tij në një vrasje në vitin 2002./vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›