Vritet kamerieri 20 vjeçar, policia asnjë pistë hetimi
RRËSHEN- Një 20 vjeçar është qëlluar mbrëmë rreth orës 22:20 me breshëri automatiku duke mbetur i vdekur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në qytetin e Rrëshenit, vetëm 30 metra larg komisariatit të policisë.
Policia nuk ka ende asnjë pistë hetimi. Persona të paidentifikuar i kanë zënë pritë Edison Jakut, kamerier në një qendër interneti, i cili sapo kthehej nga puna. Atentatorët e kanë qëlluar me breshëri automatiku teksa hynte në hyrjen e pallatit ku banonte. I riu ka humbur shumë gjak, dhe nuk ka mundur t'i mbijetojë plagëve të shuma edhe pse u dërgua me urgjencë në spitalin e këtij qyteti.
Trupi është gjetur nga shokët e tij me të cilët sapo ishte ndarë tek qendra e internetit. Ata kanë marrë shokun dhe e kanë nisur në spital, por gjithçka ka qenë e kotë, pasi 20 vjeçari ka humbur shumë gjak nga plagët e shumta në gjithë trupin. Shokët e tij, kanë rrëfyer se kanë qenë së bashku në qendrën e internetit ndërsa janë ndarë, por nuk e kanë besuar se Edisoni ishte qëlluar dhe më pas vdiq në mjediset e spitalit.
Policia deri në orët e vona ende nuk kishte shtruar një pistë të mundshme për të vënë gishtin mbi autorin apo grupin e autorëve, ndërsa qytetarë të shumtë kanë dalë në rrugë deri vonë të indinjuar nga mungesa e rendit në këtë qytet.
Në vendngjarje përpos uniformave blu të këtij komisariati kanë ardhur dhe forca policore nga drejtoria e policisë së Lezhës dhe po hetohet intensivisht për gjetjen e autorëve të mundshëm të këtij krimi të rëndë në mes të qyteti. Janë ngritur postoblloqe në kryqëzimet që lidhin qytetin me rajone të tjera.
Rrësheni është kthyer në një Vaterlo. Prej kohësh janë zhdukur institucionet e gjyqësorit si është rrudhur policia e këtij rajoni në një grusht policësh, ku kriminelët shëtisin lirshëm në qytet dhe lokale me pistoleta e armë në brez. Para pak ditësh, është qëlluar edhe mbi fugonin e policisë, që patrullonte në rrugët e qytetit.