Vuçiq: Nuk do të ketë lajme të mira për Serbinë

Serbia e ka sjellë vetveten në situatë ku nuk ka çka pret të gëzohet me gjërat që do të vijnë në lidhje me Kosovën, ndërsa “nuk do të ketë lajme të mira”, ka thënë të hënën mbrëma nënkryetari i parë i Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Nuk di nëse lajmi do të jetë i ndërlidhur me datën (e nisjes së negociatave me Bashkimin Evropian), apo diçka në lidhje me Kosovën, por lajme ideale gjithsesi nuk do të ketë. Njerëzit në Serbi duhet ta dinë këtë dhe unë nuk dua t’i gënjej”, ka thënë Vuçiq në një deklarim për Radiotelevizionin e Serbisë.
Duke folur rreth Kosovës, ai ka theksuar se, edhe pse kjo askujt në Serbi nuk i pëlqen, i duhet ta thotë se “çka do të bëjmë dhe sido që ta bëjmë, nuk do të jetë mirë”.
Vuçiq ka theksuar se Serbia deri më tani ka bërë kompromise dhe gjithmonë është e gatshme t’i bëjë, por ajo nuk mund të pranojë që të jetë e shkatërruar. “Kjo është e tëra që mund të them”, ka thënë Vuçiq./Indeksonline/