Vuçiç: E mora mesazhin e protestës, ne do të ndryshojmë, por Serbia nuk dëshiron dhunë

Qindra mijëra qytetarë serb mbushën Beogradin në dy ditët e fundit në protesta që arritën kulmin të shtunën në mbrëmje. Përpjekja masive kërkon drejtësi për shembjen e një stacioni hekurudhor me shumë viktima, si dhe rrëzimin e qeverisë së korruptuar në Serbi.
Protesta e së shtunës është më e madhja ndonjëherë në historinë moderne të vendit, pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve për të penguar demonstratën duke ndaluar transportin publik.
Ministria e Brendshme vlerësoi një pjesëmarrje maksimale prej 107 mijë personash, ndërsa Arkivi i Tubimeve Publike tha se ishin të paktën 300 mijë demonstrues, ndoshta edhe më shumë.
Tubimi u shoqërua me incidente të vogla, me dhjetëra të arrestuar dhe më pak persona të lënduar.
Momenti më alarmues ndodhi gjatë një heshtjeje 15-minutëshe për të nderuar viktimat e shembjes së stacionit, kur një zhurmë e madhe, e përshkruar nga dëshmitarët si një predhë ose një avion që po përplasej, shkaktoi panik dhe rrëmujë.
Videot në rrjetet sociale treguan turmën të shpërndahej në dy pjesë në pak sekonda.
Analistë politikë, opozita dhe disa media pretenduan se forcat speciale përdorën një armë akustike me rreze të gjatë, e cila është e ndaluar në Serbi, për të shpërndarë turmën, por një gjë e tillë nuk është konfirmuar dhe as është mohuar nga autoritetet.
Pas shpërndarjes së njerëzve, presidenti serb Vuçiç reagoi duke thënë se qeveria e ka marrë mesazhin.
“Të gjithë njerëzit në pushtet duhet ta kuptojnë mesazhin kur mblidhet një numër kaq i madh njerëzish. Ne do të duhet të ndryshojmë veten dhe do të duhet të mësojmë shumë. Nga ana tjetër, shpresoj se disa të tjerë e kanë kuptuar qartë se qytetarët e Serbisë nuk duan revolucione me ngjyra dhe dhunë, por duan të ndryshojnë qeverinë e tyre përmes zgjedhjeve.”, tha Presidenti i Serbisë.
Një ditë më pas, studentët nuk kanë njoftuar se cili do të jetë hapi i radhës, por kanë theksuar se nuk janë tërhequr nga përpjekjet e tyre.
/vizionplus.tv