E Diel, 1 Nëntor 2026

Vuçiç: Jemi gati për luftë, por duam paqe

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka lëshuar një deklaratë të fortë lidhur me situatën e sigurisë dhe raportet me Kosovën.

Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se vendi ka kapacitete mbrojtëse shumë më të mëdha sesa gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

Sipas kreut të shtetit serb, rritja ekonomike ka mundësuar investime masive në sektorin e mbrojtjes dhe blerjen e armatimeve moderne.

“Sot jemi shumë më të fortë dhe pikërisht për këtë arsye askush nuk guxon të na sulmojë,” u shpreh ai me tone mburrëse.

Vuçiç zbuloi gjithashtu se ushtria ka siguruar pajisje të avancuara nga Izraeli, duke rritur ndjeshëm gatishmërinë për luftim. Megjithëse deklaroi se Serbia tashmë i ka mjetet e nevojshme për luftë, ai nxitoi të sqaronte se synimi i tij mbetet stabiliteti.

Presidenti nënvizoi se u ka premtuar qytetarëve paqe dhe zhvillim, ndaj nuk ka ndërmend ta çojë vendin drejt një konflikti të armatosur.

Sa i përket çështjes së Kosovës, ai pranoi se kjo temë është rikthyer me forcë në tryezën e diskutimeve ndërkombëtare.

Kjo deklaratë vjen në një moment tensionesh, ku forca ushtarake përdoret shpesh si mjet presioni në deklaratat politike.

Gazetar: Artur Mata

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›