Java e Ndërgjegjësimit për Shëndetin Mendor të Nënës: Psikologët apelojnë për më shumë mbështetje ndaj grave shtatzëna dhe nënave të reja

Psikologët në dy maternitete të Tiranës kanë bërë apel për më shumë mbështetje ndaj grave gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes, duke theksuar se mirëqenia mendore dhe emocionale e nënës është thelbësore për shëndetin e saj dhe të foshnjës.
Ky apel u bë në kuadër të Javës së Ndërgjegjësimit për Shëndetin Mendor të Nënës, ku u nënvizua nevoja për vëmendje, kujdes dhe mbështetje ndaj grave që përballen me ankth, lodhje emocionale dhe sfida psikologjike.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka theksuar se shumë nëna përjetojnë emocione dhe vështirësi në heshtje, ndaj mbështetja dhe kujdesi në kohën e duhur bëjnë diferencën.
Psikologia pranë maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” u shpreh se shëndeti mendor i grave është një çështje me rëndësi të veçantë dhe se në Qendrën e Gruas organizohen rregullisht klasa prenatale ku trajtohen tema si shtatzënia, lehonia, ushqyerja me gji dhe kujdesi për foshnjën.
Një nga temat kryesore është depresioni pas lindjes, ku synohet krijimi i një ambienti të ngrohtë dhe mbështetës për nënat e reja, duke përfshirë edhe familjarët.
Përveç takimeve në grup, zhvillohen edhe seanca individuale sipas nevojave të nënave, me rezultate pozitive në menaxhimin e depresionit postpartum dhe problemeve emocionale gjatë shtatzënisë.
Psikologia e maternitetit “Koço Gliozheni” theksoi se kjo javë shërben për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e kujdesit psikologjik për gratë në periudhën e shtatzënisë dhe pas lindjes.
Ajo tha se shumë gra nuk flasin për ndjenjat e tyre, pasi ekziston perceptimi se shtatzënia dhe lindja duhet të jenë vetëm periudha lumturie.
Sipas saj, edhe pse janë momente të bukura, kjo është një periudhë komplekse që kërkon vëmendje të shtuar ndaj shëndetit mendor të nënës, pasi një nënë me shëndet të mirë mendor ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien psikologjike të fëmijës dhe ekuilibrin e familjes.
Psikologia apeloi që nënat të kërkojnë ndihmë profesionale sa herë që ndihen të mbingarkuara emocionalisht apo të pasigurta, duke theksuar se “Të dashura nëna, jemi këtu për t’ju dëgjuar, jo për t’ju gjykuar. Synimi ynë është t’ju ofrojmë mbështetje, këshillim profesional dhe kujdesin e duhur në momentin e duhur.”
Ky apel i specialistëve vë në qendër rëndësinë e shëndetit mendor të nënës, depresionit pas lindjes dhe mbështetjes psikologjike, duke theksuar se kujdesi i duhur ndikon jo vetëm tek nënat, por edhe tek fëmijët dhe familja në tërësi.
/rtsh.al/