Vuçiç: Marrëveshja e Ohrit mund të jetë kusht për anëtarësim të Serbisë në BE

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se marrëveshja e Ohrit mund të bëhet pjesë e negociatave të kapitullit 35 me Bashkimin Evropian dhe të jetë kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE.
Në kapitullin e 35-të, për pranim të Serbisë në BE-së, përfshihen edhe marrëdhëniet e Beogradit me Prishtinën.
Marrëveshja e Ohrit parasheh që Serbia t’i njohë simbolet shtetërore të Kosovës, nuk e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe palët e respektojnë integritetin dhe sovranitetin territorial të njëra-tjetrës.
Vuçiç ka thënë se për Serbinë “pranimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara nuk vjen në shprehje”. “Jam takuar me francezët, gjermanët, italianët, të gjithë evropianët, amerikanët, për këtë gjë. Të gjithë i dinë të gjitha”, ka thënë Vuçiç për të përjavshmen serbe NIN.
Siç ka raportuar edhe më herët Radio Evropa e Lirë, BE-ja do t’i kërkojë formalisht Komisionit Evropian që t’i përfshijë obligimet nga marrëveshja e arritur në shkurt, mes dy palëve, për nornalizim marrëdhëniesh, në negociatat për anëtarësim mes Beogradit dhe Brukselit, transmeton Radio Evropa e Lirë.
“Këshilli i ka kërkuar Komisionit dhe Përfaqësuesit të Lartë që urgjentisiht të propozohet, para fundit të janarit 2024, ndryshime dhe kritere shtesë për kapitullin 35, për negociatat e Serbisë për anëtarësim”, thuhet në draftin me konkluzione, të cilat e ka parë Radio Evropa e Lirë.
Përfundimet do të miratohen nga ministrat për punë të Jashtme, në një takim më 12 dhjetor.
/rtsh.al/