E Diel, 1 Nëntor 2026

Vuçiç refuzon të nënshkruajë deklaratën e Samitit Ukrainë–Evropa Juglindore

Në Samitin Ukrainë–Evropa Juglindore, të mbajtur në Kiev, Serbia refuzoi të nënshkruante deklaratën e përbashkët që dënonte agresionin rus.

Deklarata e miratuar nga pjesëmarrësit parashikon vazhdimin e mbështetjes politike, ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën, rritjen e presionit ndaj Rusisë dhe bashkëpunimin për rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta.

Dokumenti u nënshkrua nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe përfaqësuesit e Shqipërisë, Greqisë, Moldavisë, Rumanisë, Kroacisë, Sllovenisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bullgarisë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç deklaroi se Serbia mbështet integritetin territorial të Ukrainës, por nuk e nënshkroi dokumentin, duke theksuar se kjo ishte në mbrojtje të interesave kombëtare të Serbisë.

Udhëheqja politike serbe ka shmangur vazhdimisht dënimin e hapur të pushtimit rus të Ukrainës, duke refuzuar të përafrohet me politikën e jashtme të Bashkimit Europian dhe të vendosë sanksione kundër Rusisë.

Serbia ka hapur negociatat e pranimit me BE-në në vitin 2014, por që nga viti 2021 procesi ka mbetur në ngërç, pa hapur kapituj të rinj negociues.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›