Vuçiç takohet me Lajçak: Diskutuam për situatën me Kosovën dhe zbatimin e marrëveshjeve

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka zhvilluar një takim me të dërguarin e Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ndërsa ky i fundit ndodhet në Beograd.
Presidenti serb bën me dije se situata në Kosovë, mënyrat për të qetësuar tensionet dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani ishin temat e diskutimit gjatë takimit.
Vuçiç bën me dije se ndër të tjera kërkoi respektimin e të drejtave dhe sigurisë së popullit serb në Kosovë.
“Edhe një herë paralajmërova se populli serb në Kosovë dhe Metohi është i ekspozuar ndaj torturave dhe persekutimeve më të rënda në 15 vitet e fundit dhe ripërsërita kërkesat për respektimin e të drejtave dhe sigurisë së tyre. I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar që të përfshihet më konkretisht. në të gjitha këto çështje”, ka thënë presidenti i Serbisë.
Një ditë më parë, Lajçak ishte në Prishtinë, ku u takua me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Pas takimit me Kurtin, Lajçak u shpreh se kishte gjetur mirëkuptim për të çuar përpara tre kërkesat e bashkimit europian që janë shtensionimi i situatës, zgjedhjet e parakohshme në veri si dhe rikthimi në dialog.
/rtsh.al/