“Vula”, grotesku modern i Marash Mirashit – Një roman që shndërron absurditetin në art rrëfimi

Gazetari dhe shkrimtari Marash Mirashi prezantoi në Lezhë romanin e tij më të fundit, të titulluar “Vula”.
Kjo vepër, që merr shtysë nga përplasja e dy grupimeve të njohura për të mbrojtur përkatësinë e një vule, është shndërruar mjeshtërisht nga autori në një përrallë moderne.
Loja e imagjinatës sfidon kufijtë mes reales dhe të trilluarës, duke vendosur lexuesin përballë një universi ku realiteti dhe fantazia ndërthuren në mënyrë befasuese.
Ky botim u prit me interes nga lexuesit dhe dashamirësit e letërsisë, të cilët vlerësuan stilin e veçantë të autorit, gjuhën sarkastike, groteskun dhe mënyrën si ai ndërthur filozofinë me artin e rrëfimit.
“Ka sarkazmin, ka humorin, ka nën tekstet, e veçantë në këtë libër është simbolika”, u shpreh Viktor Gjikolaj, poet.
Autori i këtij botimi, Marash Mirashi, theksoi se romani “Vula” është një reflektim mbi absurditetin e përditshëm, i cili shpesh maskohet si normalitet. Kur politika rend pas simboleve, qytetarët bëhen spektatorë të një teatri të çmendur.
“Libri “Vula” është një grotesk ndaj shoqërisë shqiptare ndaj politikës. Është një mënyrë për të dhënë lexuesit një përrallë moderne. Në këtë libër sjell për lexuesin jo thjeshtë një ngjarje, nuk sjellë një kronologji por e kam marrë vulën për interesat e mia letrare për të realizuar një përrallë moderne që njerëzit të kënaqen duke lexuar këtë libër”, tha Mirashi.
Ky botim i gazetarit dhe shkrimtarit Marash Mirashi vjen pas suksesit të romanit “Brirët”, që tërhoqi vëmendjen e lexuesve dhe u vlerësua me çmimin letrar “At Gjergj Fishta” në vitin 2024.
/rtsh.al/