E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vullkani zbraz qiejt e Europës

Dje, mbi dy të tretat e fluturimeve janë anuluar

Fluturimet në një pjesë të madhe të vendeve të Europës do të vazhdojnë që të kenë shumë probleme edhe gjatë ditës së sotme, për shkak të hirit të vullkanit islandez, që vazhdon të përhapet nëpër qiejt e kontinentit. Pjesa më e madhe e hapësirave ajrore në veri të Europës është mbyllur me një numër shumë të kufizuar avionësh që kanë lëvizur gjatë ditës së djeshme. Nga një situatë e tillë e paprecedentë janë prekur mijëra pasagjerë, ndërkohë që sipas shkencëtarëve që po monitorojnë situatën e vullkanit, ai ende po emeton llavë dhe si pasojë edhe hi të dendur. Gjatë ditës së djeshme u rrit shumë numri i vendeve në kontinent që kufizuan fluturimet ajrore për shkak të hirit. Sipas një eksperti të fushës, erupsioni i vullkanit që ndodhet 125 kilometra larg kryeqytetit të Islandës, Reikjavik, mund të vazhdojë për ditë të tëra dhe si pasojë edhe hiri do të vazhdojë që të rrijë pezull mbi qiejt e Europës. Masa gri dhe e dendur prej disa kilometrash është zhvendosur nga erërat në veri të Atlantikut në Europën Veriore, duke zënë qiejt dhe duke e bërë shumë të vështirë qarkullimin ajror. Disa vende nordike kanë njoftuar se brenda pak ditësh do të rifillojnë fluturimet, por Polonia dhe Republika çeke vazhdojnë që të mbajnë të njëjtin qëndrim, deri në një lajm të dytë për përmirësimin e situatës. Këto dy shtete i janë shtuar listës së vendeve që i kanë mbyllur aeroportet e tyre. Për shumë ekspertë, situata këto dy ditë nuk ka ndryshuar dhe as ka shënuar përmirësime. “Ne jemi në pritje të disa ditëve të tjera gjatë të cilave mund të qartësohet edhe situata në qiell. Një situatë e tillë, sado e vështirë, nuk mund të zgjasë më shumë se disa ditë, sepse magma që del është e një sasie të caktuar dhe kur ajo të përfundojë së dali nga thellësia e tokës, do të marrë fund edhe hiri i shkaktuar prej këtij procesi”, ka deklaruar një nga shkencëtarët që merret me çështjen.
Erupsioni i vullkanit ka ndodhur në glacierën e Islandës në jug të vendit. Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme, deri më tani ky erupsion ka shkaktuar disa dëme të vogla te rrugët dhe infrastruktura e vendit përreth. Ndërkohë, evakuimet e banorëve të zonës përreth vazhdojnë në masë. Gjatë javës, që në momentin kur vullkani nisi që të nxjerrë magmë, nga zona e rrezikshme janë larguar 800 persona. Vullkani ndodhet në glacierën e pestë më të madhe të planetit dhe ka shpërthyer 5 herë që kur Islanda u themelua si shtet në shekullin XIX. Vetë Islanda ndodhet e vendosur mbi një zonë vullkanike dhe përjeton erupsione të shpeshta vullkanike.

Ndërkaq, zyrtarët polakë janë të shqetësuar për shkak të vonesave që mund të kenë për të mbërritur krerët e shteteve që duhet të marrin pjesë sot në varrimin e Presidentit të vdekur polak në qytetin e Krakovit. Deri më tani, Obama, Medvedev dhe Merkel që ndodhen në listën e pjesëmarrësve, nuk e kanë anuluar fluturimin. Sipas një përllogaritjeje të shpejtë, rreth dy të tretat e fluturimeve në kontinent janë ndërprerë. Qiejt kanë qenë tërësisht të zbrazur. Kjo do të thotë që me gjuhën e shifrave janë anuluar 16 mijë fluturime. Vetëm 120 fluturime trans-atlantike kanë mbërritur në aeroportet e Europës, krahasuar me 300 që janë në një ditë normale. Në qytete të ndryshme të Europës ka pasur kaos dhe shumë pasagjerë ose kanë vendosur të presin, ose u janë drejtuar mjeteve alternative të fluturimit. Si pasojë është rritur ndjeshëm numri i pasagjerëve të trenave e trageteve në të gjithë kontinentin.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›