Sportelet bashkiake si radhë vajguri
Sa nga njëra radhë në tjetrën, qytetarët të lodhur e të bezdisur e mbi të gjitha kohëhumbur provojnë që të mbyllin hallet e kërkesat e tyre në sportelet e njësive bashkiake në kryeqytet. Urdhëresat e njëpasnjëshme që vijnë nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile pranë Ministrisë së Brendshme për to kanë shkaktuar jo vetëm kaos e radhë të gjata pas sporteleve të njësive bashkiake. Ato i kanë bërë qytetarët që të mallkojnë me ligje të gjithë ata që gjenden pas hekurave të dritareve të ngushta të këtyre zyrave. Kështu, në rast se kërkon që të aplikosh për një kartë identiteti apo pasaportë biometrike, më parë duhet që të kapërcesh radhën e gjatë në sportelin e fundit të njësisë ku duhet të pajisesh me një numër të posaçëm. Vetëm pasi ke marrë këtë numër, duke sharë e duke shfryrë i drejtohesh një tjetër sporteli, ku edhe këtu të pret një radhë e gjatë, derisa të vijë momenti kur të thonë se ka filluar pushimi i drekës për punonjësit e kompanisë, që merret me këto punë. Por mund të ndodhë edhe më keq. Radha të jetë aq e madhe sa përfundimi i orarit zyrtar të këtyre punonjësve të të gjejë sërish pas derës pa mundur që të mbarosh punë. Të nesërmen në rast se nxitimi për kartën është i madh duhet të ripërsërisësh sërish mundimin e një dite më parë. Të mbash përsëri radhë për një numër dhe me këtë të fundit t’i drejtohesh sërish derës së aplikimit me shpresën se të paktën këtë ditë do të mundesh të lësh gjurmët e gishtërinjve në dokumentin që jo gjithmonë të zgjidh punë.
Mundimi dhe bredhja ndër sportele e qytetarëve në njësitë bashkiake të Tiranës vazhdon edhe për certifikata. Urdhri i fundit i Ministrisë së Brendshme është i prerë: Asnjë certifikatë personale për personat mbi 16 vjeç e lart. Mban sërish radhën dhe pas një kohe pritje që varion, duke shumëzuar minimumi 15 minuta një person, gjendesh “e lumtur” përballë punonjëses së sportelit përkatës. Me delikatesë kërkon një certifikatë, por më kot. Nëse nuk ke bërë më parë aplikimin për kartën e identitetit kjo e drejtë të mohohet tërësisht nga shteti, që duhet të të mbrojë të drejtat. Ndonëse procesi i aplikimeve për pajisjen me karta identiteti vazhdon dhe deri ditën e tij “të fundit” ka kohë boll, përsëri certifikatë nuk të japin. Kështu është urdhri. Dhe nuk mbaron këtu. Nëse të duhet një certifikatë me fotografi, kujdes, më parë duhet të gjesh se kush është kryeplaku i lagjes dhe ku qëndron ai. Ky është autoriteti i ngarkuar nga “ligji” për të vulosur fotografinë, që më pas duhet t’ia dorëzosh së bashku me kartën e identitetit punonjëses së sportelit të njësisë bashkiake. Ka të tjerë që kërkojnë certifikatë personale me fotografi, të vlefshme për t’u paraqitur në një seancë gjyqësore jashtë Shqipërisë. As kjo nuk mund të bëhet. Ndërsa hallexhiu përpiqet t’i mbushë mendjen punonjëses së sportelit se kartën e identitetit nuk ia njeh kush jashtë kufirit shqiptar, ajo sërish përsërit duke ngritur supet, ligji, që në rastin konkret mbetet përsëri Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, drejtuesit e së cilës ndoshta nuk kanë trokitur ndonjëherë në këto sportele për t’u pajisur me dokumente, sepse u vijnë gati në zyra, nga shoferi apo sekretarja.
Dhe qytetarët ankohen dhe nervangritur bërtasin. Më të vjetrit thonë: na iku jeta nëpër radhë. Ndërsa më të rinjtë gjejnë çdo shkak për t’u kapur në nerva e sipër me personin që kanë afër.
Por të gjithë sapo dalin nga njësia bashkiake, me apo pa dokumentet në xhep, harrojnë ose bëjnë sikur dhe vazhdojnë jetën “normale” sikur asgjë të mos kishte ndodhur.