E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wertmüller në Tiranë

Hera e parë që në Shqipëri shkel një regjisor i epokës së artë të kinemasë italiane të viteve '50-'70. Lina Wertmüller, e ndaluar dikur nga regjimi, prezanton pa zhurmë në një sallë të improvizuar kinemaje komedinë: "Mimì metallurgico ferito nell'onore".


Asnjë regjisor nuk do ta meritonte që filmi i tij të shfaqej në një sallë kinemaje si të ishte tendë e një panairi ambulant brenda Muzeut Historik Kombëtar.


Aq më pak Lina Wertmüller që shpresojmë të jetë sonte e pranishme në Tiranë për të prezantuar një film të sajin të vitit 1972, i cili i përket korpusit historik të komedisë italiane: "Mimì metallurgico ferito nell'onore" me protagonistë dy aktorë të dashur dhe bashkëpunëtorë të hershëm të sajët, Giancarlo Ganini dhe Marianagleo Melatto.
Është e vërtetë që me pritjen e pak artistëve të mirë e të huaj ne gjithmonë e dreqosim, por kësaj radhe, pritja është në duart e vetë italianëve.


Propaganda e 20-vjetorit të Koperacionit Italian për zhvillim në Shqipëri merr përsipër të tregojë si janë ngritur ura mbi lumenj, si u është ndërruar faqja shkollave e poliklinikave, si është ndihmuar vreshtaria dhe sipërmarrja femërore, nënstacionet energjitike dhe rezervuarë të ujit të pijshëm, pika të grumbullimit të plehrave dhe ndërtimi i rrugëve ndërqytetëse.


Ndërsa për "Sguardi italiani", kështu e kanë quajtur javën e kinemasë italiane të viteve 1950-'70, është bërë pak. Java fillon sot. Programi hapet në orën 18.00 me një komedi ikonë "Mimì metallurgico ferito nell'onore".


Njoftohet se do të jetë e pranishme regjisorja vetë. Është një rast i veçantë ardhja e Lina Wertmüllerit. Është hera e parë që në Shqipëri shkel një regjisor i epokës së artë të kinemasë italiane të viteve '50-'70. Dhe kjo ardhje bëhet në heshtje dhe jo në kushtet të mira.


Pse Wertmüller? Sepse filmi i saj dhe të tjerë nga De Sica, Rosi, Visconti, Fellini, prezantohen me vepra të cilat paraqesin shoqërinë italiane në dy dekadat e pasluftës: epoka e rindërtimit të vendit dhe shumë shpejt e bumit ekonomik, solli edhe kinemanë e rindërtimit që paraqet këtë zhvillim social.


"Mimì metallurgico ferito nell'onore" (Mimi metalurgu i plagosur në nder) është historia e Mimit, një punëtor siçilian me bindje të majta që pushohet nga puna për shkak të ideve të tij politike. I detyruar të emigrojë në veri, në Torino, për të kërkuar punë, lë pas gruan Rozaria. Me të mbërritur në Torino, Mimi gjen punë dhe strehë. Por shpejt kupton se kompania ku është punësuar kryen një aktivitet fasadë thjesht për të bërë pastrim parash të mafies.


Ai shfrytëzon rrethanat dhe bën karrierë falë mbrojtjes mafioze, në industrinë metalurgjike. Gjen dhe një dashnore: Fiore, me të cilën bën një fëmijë. Kur kthehet në shtëpi gjen të shoqen me barrë nga dikush tjetër. Këtu ndryshon rrjedha filmit falë hakmarrjes së Mimit. Skenari është shkruar nga Wertmüller si shumë fila të tjerë të saj. Zgjat 121 minuta. Interpretojnë Agostina Belli, Giancarlo Giannini, Mariangela Melato, Andrea Maugeri.


Gjatë karrierës së saj të gjatë 60-vjeçare, Wertmüller ka realizuar "I Basilischi" (1963) (Hardhucat) film që ka një histori të veçantë në Shqipëri; "Questa volta parliamo di uomini" (1965), "Non stuzzicate la zanzara" (1967), "Film d'amore e d'anarchia" (1973), "Travolti da un insolito destino nell'azzurro mare d'agosto" (1974), "Pasqualino Settebellezze" (1975), "Fatto di sangue fra due uomini per causa di una vedova" me aktorët Giancarlo Giannini, Marcello Mastroianni, Sophia Loren, "La fine del mondo nel nostro solito letto in una notte piena di pioggia" (1978), "Scherzo del destino in agguato dietro l'angolo come un brigante da strada" (1983), "Un complicato intrigo di donne, vicoli e delikti" (1986), "Sabato, domenica e lunedì" (1990), "Ninfa plebea" (1996), "Ferdinando e Carolina" (1999), "Francesca e Nunziata" (2001).


Ja dhe historia e "Hardhucave". Më 4 dhjetor 2008 Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në Tiranë nxori nga fondi i kinemasë botërore dy filma që janë zhdukur nga qarkullimi.


Njëri ishte "Zoti Topaz", i vetmi film i aktorit britanik Peter Sellers dhe tjetri, filmi i parë i Lina Ëertmuller, "Hardhucat" që kishte ardhur në Shqipëri në një situatë të nderë politike, në vitin 1981, pas vrasjes së kryeministrit të qeverisjes social-komuniste, Mehmet Shehu. Wertmüller ishte marksiste me famë. Kjo mund të ketë qenë arsyeja që është blerë filmi 20 vjet pas prodhimit.


Por ku u pa në brendësi nga komisioni i vizionimit dhe i censurës, idetë e marksistes liberale për seksin dhe fenë nuk shkonin në Shqipërinë e izoluar të asaj kohe. Kështu filmi u ble dhe u fut në fond i pasubtitruar. Nuk u shfaq deri më 2008 në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër në Tiranë.


Autorja e "Dashuri dhe anarki", "Shtatë bukuritë", "Swept away" etj, e realizoi këtë vepër të parë filmike pasi përvojës si asistent regjisore e Federico Fellinit në filmin "8 e ½" dhe ishte ky që e ndihmoi edhe financiarisht që të bënte "Hardhucat".


Drejtor fotografie pati Gianni di Venanzon, ai që kishte punuar tek "8 e ½" dhe në disa filma të tjerë të Fellinit.
Wertmüller sot 82 vjeç pritet të nderohet me një "David" për Karrierën, çmim që jepet nga Akademia Italiane e Kinemasë. Bashkë me të nderohen edhe bashkëkohës të saj Tonino Guerra, Bud Spencer dhe Terence Hill.


Ajo mbetet e para regjisore femër e propozuar për Regjinë më të Mirë nga Akademia e Çmimit Oscar për filmin "Seven Beauties" më 1976. Gjërat nuk kanë ndryshuar shumë, pasi prej atij viti, regjisoret femra të kandiduara mbeten pesë gjithsej. Kur në fillim të këtij viti amerikania Kathryn Bigelow u shpall e para grua regjisore që fitoi Oscar, Wertmüller do të shprehej: fytyra e Bigelow-t duhet të stampohet në kartmonedhën e dollarit.


Vështrime italiane


Gjatë javës së kinemasë italiane të viteve 1950-1970 do të shfaqet më 19 prill "Il medico della mutua" (1968) i Luigi Zampa-s, me aktorët Alberto Sordi, Nanda Primavera. Më 20 prill "Matrimonio all'italiana" 1964 i Vittorio De Sica-s me Sophia Loren dhe Marcello Mastroianni.


Më 21 prill një tjetër film ikonë i De Sica-s "Ieri, Oggi, Domani" 1963 me Loren dhe Mastroianni. Më 22 prill "Le mani sulla città" 1963 i Francesco Rossi-t me Rod Steiger, Salvo Randone. Më 23 prill "Rocco e i suoi fratelli" 1960 i Luchino Viscontit me Alain Delon, Renato Salvatori.


Më 26 prill "Peccato che sia una canaglia" 1954 i Alessandro Blasettit me Loren, Mastroianni dhe De Sica. Më 27 prill "I vitelloni" 1953 i Federico Fellinit me Alberto Sordin, Franco Interlenghin dhe Franco Fabrizin.
Filmat shfaqen çdo orë 18.00, hyrja është falas.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›