Rregullorja e Burgjeve, Ministria e Drejtësisë pranon "gabimin"
Avokati i Popullit dhe përfaqësues grupeve të interesit si dhe Euralius, kritikuan rregulloren e Burgjeve të miratuar nga qeveria pak kohë më parë
Sipas përfaqësuesve të Ministrisë pritet që të rishikohet edhe një herë vendimi i qeverisë, për këtë çështje
TIRANË- Ministria e Drejtësisë pranoi në mbledhjen e djeshme të Konsorciumit Ndërkombëtar për reformën ligjore në Shqipëri, se ishte nxituar në hartimin dhe më pas miratimin nga Këshilli i Ministrave të rregullores së re të burgjeve.
Ky pranim "faji" nga ana e përfaqësuesve të dikasterit të drejtësisë u bë në prani të 10 Ambasadorëve të huaj në vendin tonë, 7 institucioneve vendore e të huaja që kontribuojnë në përmirësimin e sistemit të drejtësisë si dhe shumë organizatave jo qeveritare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të pranishëm në mbledhjen disa orëshe.
Këto dhe të dhënat e tjera në vazhdim nga ky takim, u konfirmuan nga zyrtarët e ndryshëm vendas dhe të huaj, të cilët saktësuan për "Shekullin" se përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë ftuan institucionet dhe organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të sjellin rekomandimet e tyre mbi rregulloren e re, që tashmë do të rishikohet. Gjatë fjalës së saj, përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësisë znj.
Marsida Xhaferllari, ka pranuar pas një "debati" mes përfaqësuesve të Konsorciumit Ndërkombëtar dhe Avokatit të Popullit, se institucioni që ajo përfaqëson ishte nxituar në përpilimin dhe hartimin e kësaj rregullore që tashmë është miratuar nga Këshilli i Ministrave.
Pas pranimit të "fajit", mësohet se përfaqësuesja e dikasterit të drejtësisë ka shprehur gatishmërinë e Ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani, për mundësinë e përmirësimit të kësaj rregullore edhe pse ajo është miratuar nga Këshilli i Ministrave.
Në fjalën e saj, Xhaferllari ka ftuar të gjithë institucionet dhe organizatat e tjera për mbrojtjen e të drejtave të njeriut që kontribuojnë në përmirësimin e sistemit të drejtësisë në vend të dërgojnë rekomandimet e tyre në lidhje me këtë rregullore.
Ndërkaq, sipas pretendimeve të përfaqësuese së dikasterit të drejtësisë, shkak i këtij "nxitimi" për hartimin e kësaj rregullore është bërë gjendja problematike disa vjeçare e futjes së sendeve të paligjshme brenda qelive të paraburgimit dhe vuajtjes së dënimit, siç janë aparatet celulare.
Pas këtyre pretendimeve, mësohet se ka reaguar komisionari i Avokatit të Popullit i pranishëm në këtë takim, i cili përveç se ka njoftuar përfaqësuesit e Konsorciumit Ndërkombëtar se për këtë rregullore Ministria e Drejtësisë nuk i kishte kontaktuar, por shtoi se si mund të kërkohet një bashkëpunim kur rregullorja tashmë është miratuar dhe po zbatohet nëpër institucione të paraburgimit dhe vuajtjes së dënimit.
Gjithashtu mësohet se përfaqësuesit e Komitetit Shqiptar të Helsinkit e kanë kundërshtuar me forcë këtë rregullore, duke kërkuar nga Ministra e Drejtësisë të marrë mendimin e të gjithë institucioneve apo organizatave që asistojnë në përmirësimin e sistemit të drejtësisë penale në vend.
Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë, kanë qenë burimet zyrtare të Avokatit të Popullit që nëpërmjet "Shekullit" kanë kundërshtuar rregulloren e re të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të miratuar në mes të muajt mars 2010 nga Këshilli i Ministrave, duke i cilësuar disa nene të saj si anti Kushtetuese.
"Është përgatitur tashmë rekomandimi kundërshtues i Avokatit të Popullit për disa nga nenet e rregullores së re të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve sa i përket mënyrës së funksionit të burgjeve, administratës së saj dhe të të burgosurve në Shqipëri",- patën shprehur burimet.
Ndërsa, takimi i djeshëm është organizuar nga Konsorciumi Ndërkombëtar (KN) i krijuar në dhjetor 2001 për të kontribuar me përkushtim në përmirësimin e sistemit të drejtësisë penale në Shqipëri.