E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wikileaks per arsimin privat...

Konfidenciale: Arsimi i lartë privat!
Në kuadrin e programit për arsimin e lartë sot pritëm në ambasadë një zyrtar të lartë të Ministrisë së Arsimit! Takimi u zhvillua me kërkesën tonë. Biseda u përqendrua në përvojat e Shqipërisë në masivizimin e universiteteve. Synimi ynë ishte të tërhiqnim vëmendjen për fenomenet shqetësuese dhe pasojat që mund të ketë vendi në të ardhmen.
Që në fillim të bisedës ambasada vlerësoi lart përparimet e arritura në arsim, por shumë hapur shprehëm brengën tonë për cilësinë në universitetet private! Në mënyrë të beftë, zyrtari tha se ndante të njëjtin shqetësim për cilësinë!
- Universitetet private janë shumë më lart në cilësi se universiteti publik - tha ai duke tundur kokën në shenjë mohimi. (përkthyesi na sqaroi më pas se "ne shqiptarët e tundim kokën ndryshe nga të tjerët, kur ne themi po do të thotë jo dhe anasjelltas. Ky shpjegim na ndihmon për të kuptuar më mirë sjelljet e politikanëve në Tiranë)! Ne mbetëm të shtangur, sepse të dhënat e grumbulluara nga shtypi dhe aktiviteti i punonjësve të ambasadës në terren japin një tablo tjetër.
- Kemi shumë shpresë për të ardhmen e vendit, vijoi zyrtari N. Deri më tani në administratë janë të punësuar njerëz që kanë marrë diplomat nga universiteti publik, por së shpejti administrata do të freskohet me diplomantë të rinj (jo domosdoshmërish të rinj në moshë). Ai shprehu habinë me biznesin vendas që nuk preferon diplomantë nga "privatët". Ky është shans i madh që nuk duhet humbur- vijoi N- është fat për ne që këto "kuadro" do të punësohen në administratë. N shprehu habinë dhe pezmin e tij se pse biznesi privat nuk pëlqente të merrte në punë kontingjente studentësh nga arsimi privat! "Ka shumë paragjykime dhe barrierat janë më tepër psikologjike"

N ishte shumë entuziast se me vrullin e diplomimit në universitetet private Shqipëria do të adresojë shumë shpejt disa prej shqetësimeve kryesore që ka Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
- Ne e dimë që kemi problem me gjyqësorin, por me kontingjentin e ri që po përgatitet në universitetet private, do t'i japim fund korrupsionit, mungesës së integritetit dhe profesionalizmit.

Një në tre shqiptarë ka sot diplomën e Juridikut, por përgjithësisht problemet këtu zgjidhen jashtë sistemit gjyqësor dhe pasi ezaurohen të gjitha mjetet dhe mënyrat, gjykata është dera e fundit ku trokitet për të zgjidhur mosmarrëveshjet.
Ne i vumë në dispozicion N.-së disa të dhëna për njerëz që blejnë diploma në universitetet private apo që fillojnë studimet e larta në vitin e dytë apo të tretë! N - tha se mund të bëhet fjalë për persona me inteligjencë të lartë që kanë aftësi të mbarojnë universitetin brenda 1 apo dy vjetësh.

Tri gjëra kërkon një shkollë e mirë- vijoi argumentin zoti N. 1. Godina, 2. Programi. 3. Pedagogët. Dy kriteret e para shkollat private i plotësojnë më së miri. Edhe për pedagogët nuk është problem. Një pedagog ka nevojë për 10 vjet përvojë mësimdhënie që të japë një leksion të mirë! Tashmë në shumë prej universiteteve këta pedagogë kanë arritur përvojën 2 apo 3-vjeçare dhe brenda 7 -8 vjetëve do të kemi gati edhe lektorët".
Një punonjës lokal i ambasadës në përpjekje për ta afruar bisedën sa më shumë të ishte e mundur pranë realitetit i dha N-së një kopje poezie të botuar në shtypin e përditshëm që tregon për "ndryshimin rrënjësor" që ka ndodhur në arsimin e lartë.
Nëse dikur për dikë që aspironte arsimin e lartë thuhej:

"Mëson ditën, mëson natën
Mbarove të mesmen fillove të lartën"

Sot vargjet janë disi më ndryshe:

"Nuk ke as libra, në shkollë nuk shkon
Mbaron të lartën, të mesmen kërkon"

Pas leximit të këtyre vargjeve ne i shprehëm shqetësimin e kolegëve të ambasadës kroate në Tiranë që janë ankuar për ndotjen e detit Adriatik që vjen nga Shqipëria në brigjet e Dubrovnikut dhe si provë kanë (filmuar) "qindra-mijëra diploma të universiteteve private në Shqipëri"

- Janë akuza të pabazuara në fakte - shpjegoi N, sepse sipas tij "shqiptarët mund të humbasin çdo gjë, por tri gjëra i kanë të shtrenjta dhe nuk mund t'ua prekë kush. 1. Celularin. 2. Diplomën e shkollës së lartë. 3. Votën.
Në këtë moment N ra në mendime dhe tha se ka të ngjarë që "diplomat që kanë mbërritur në Kroaci të jenë nga zona e përmbytjes, sepse "ne i vendosim diplomat në kornizë dhe i varim në mur, por jam i sigurt se universitetet private do të bëjnë çfarë është e mundur për t'i kompensuar me dublikatë".

Ne synojmë që ashtu siç kemi penetrimin e celularëve 140% ku një abonent ka të paktën dy numra celulari, ashtu edhe çdo familje shqiptare deri në fund të vitit 2012 të ketë tri diploma në shtëpi, dy master dhe një doktoraturë!

Synimi ynë madhor- theksoi zyrtari N është që me paratë publike të financojmë këtë arsim.
Është për t’u nënvizuar se N u skuq dhe fshiu djersët në ballë me kurrizin e dorës së djathtë kur u lut të shpjegonte faktin se sipas statistikave, numri i njerëzve me diplomë të shkollës së lartë është më i lartë se i atyre që kanë diplomën e shkollës së mesme.

- kjo është një çështje që duhet hetuar me kujdes, por në më lejoni t'ua them në mënyrë konfidenciale se unë nuk u besoj statistikave! Në këtë pikë bashkëbisedimi mund të quhet i dështuar për shkak se zyrtari N i kishte shumë të konsoliduara konsideratat e tij për universitetet private.

Ne marrim shembull nga SHBA ku universitetet më të mira janë ato private- tha N, duke marrë frymë thellë dhe duke hetuar me sy reagimin në fytyrat tona. Megjithëse takimi ishte planifikuar për një orë u detyrua ta mbyllim pas 15 minutash, sepse befas N ndryshoi rrjedhën e bisedës dhe tha se e ndiente veten të ofenduar, që ambasada, megjithëse kishte 6 muaj që ishte bërë drejtor i rëndësishëm, nuk i kishte ofruar një "study tour" në SHBA për t'u njohur me përvojën amerikane në fushën e arsimit të lartë!

Ne si ambasadë kemi nxjerrë paralajmërim për qytetarët amerikanë që të shmangin udhëtimet në Shqipëri (me përjashtim të rasteve shumë urgjente) në muajin shtator, tetor, nëntor. Udhëtimi në këtë periudhë paraqet risk të madh për shkak se qytetarët ndalen në rrugë, kafene, restorante, duke u ngjitur nëpër apartamente, në plazh, berberhane, parukeri, supermarkete...nga dy ose më shumë vajza simpatike që i ofrojnë me buzëqeshje oferta për t'u regjistruar në universitete private.

Madje, gjatë vjeshtës nëse të ndalojnë policët e trafikut mos u shqetësoni kur shikoni se afrohet me një fletë në dorë. Nuk është fletë gjobe- është ofertë për t'u regjistruar në shkollë të lartë! Shqiptarët e marrin shumë seriozisht refuzimin e këtyre ofertave dhe raportohen edhe raste rrëmbimi dhe marrje peng të vendasve që kanë refuzuar të pranojnë ofertat e shkollave të larta që shoqërohen me televizione, abonime në “DigitAlb”, aparate celulari etj. (Shënim: disa universitete vazhdojnë regjistrimet gjatë gjithë vitit, ndaj rreziku megjithëse më i ulët është i pranishëm.)
Fuqia e universiteteve private në Shqipëri nuk qëndron aq në trinomin që përmendi zyrtari, (infrastrukturë, program, pedagog) por në emrat që mbajnë dhe në sloganet që kanë. Emrat që spikasin janë "Galaxy, Kometa, Ndërplanetar, Amerikani Europian, Dije pa limit, Diamanti, Tranplanti i Mençurisë, etj.
Slogani sfidues që josh më shumë studentët dhe veçanërisht prindërit është:  A ta mban? - ky konsiderohet slogani më i qëlluar, sepse në këtë vend zor se gjen një njeri që thotë jo.

Slogane të tjera sfiduese janë "Jepma Mollën" - universitet i ri privat që synon të konkurrojë Apple të Steve Jobs! "Ne punësojmë Bill Gates", "Ne nxjerrim Rockfelerët e të ardhmes". "Ne klonojmë Ajnshtajnin".
Por slogani që sintetizon edhe mendimet tonë për gjendjen e arsimit të lartë privat është: "këtu fillon e ardhmja"
P.S. Kablloja e radhës do të jetë për sektorin e shëndetësisë

(gazetastart.com)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›