E Diel, 1 Nëntor 2026

Withers: Maxhoranca lustracion pa ligj ndaj gjyqtarëve

Uidhers shprehet se zgjedhjet e vitit të kaluar nuk përmbushën standardet ndërkombëtare dhe se shqiptarët nuk duhet të kenë një status si votues të dorës së dytë.

Ambasadori flet edhe për rrëzimin e dekreteve të Topit në Kuvend si dhe për procedurën e re me votim të hapur, duke thënë se shqyrtimi i tyre nuk ishte sipas traditës amerikane. Ai komenton edhe gjendjen e korrupsionit në Shqipëri, ku sipas tij, shifrat e perceptimit janë vërtet shqetësuese.

“Mendoj të gjithë kemi vënë në dukje se zgjedhjet e fundit kishin disa elementë që u përmirësuan, por mendoj që cilido që bëri një vlerësim për ato zgjedhje, pavarësisht se kush ishte, prapëseprapë gjeti se zgjedhjet ishin nën standardet ndërkombëtare. Ne e thamë këtë në raportin tonë për të drejtat e njeriut dhe këshilla ime është që ky është fakti kyç në vlerësimin tonë për zgjedhjet e shkuara.

Nuk shoh asnjë arsye se pse shqiptarët duhet të jenë të kënaqur me zgjedhje që nuk përmbushën standardet ndërkombëtare. Për votuesit shqiptarë nuk duhet të ketë status të dorës së dytë. Votuesit shqiptarë duhet të kenë të njëjtën të drejtë, të njëjtën siguri, të njëjtin besim që procedurat e tyre të zgjedhjeve të jenë po aq të mira sa kudo tjetër. Populli shqiptar e meriton këtë.

Dhe, derisa të përmbushen këto standarde, atëherë gjithçka që nuk synon të përmirësojë, të çojë përpara, të arrijë atë standard më të lartë, mua nuk më duket se ka shumë të bëjë me atë çka u nevojitet njerëzve – nëse këto zgjedhje, si ishin në krahasim me zgjedhjet e mëparshme, nuk më duket se ka shumë rëndësi. Ajo që nevojitet është se si janë në krahasim me normat ndërkombëtare”, është shprehur ai.

Duke folur për rrëzimin e dekreteve të presidentit Topi për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, ambasadori amerikan u shpreh se maxhoranca po përdor haptas ligjin e lustracionit, ndërkohë që sipas tij, një ligj i tillë nuk ekziston në Shqipëri.

“Do të doja të bëja shumë të qartë, do të doja të thosha shumë drejtpërdrejt se sistemi dhe procedurat për përzgjedhjen e gjykatësve për në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë nuk janë aspak sistemi amerikan. Të marrësh një element nga sistemi ynë i gjerë dhe gjithëpërfshirës që siguron se do të kemi njerëzit më të mirë të vendit në gjykatat tona, pra, të marrësh një element dhe të pretendosh se, për rrjedhojë, ajo që po ndodh aktualisht në Parlament është në ndonjë mënyrë e barasvlershme me atë që bëjmë në Amerikë, është thjesht e pasaktë.

Shikoni ç’po ndodh në Parlament tani lidhur me përzgjedhjen dhe miratimin e gjykatësve. Kemi në një anë shumicën, e cila përdor haptas kritere të ligjit të lustracionit për të refuzuar gjykatësit, ndërkohë që ligji i lustracionit nuk është ligj i këtij vendi. Gjykata Kushtetuese, me rekomandimin e Komisionit të Venecias, e shpalli atë ligj jokushtetues.

Megjithatë, duke e shpërfillur atë, gjykatësit po refuzohen. Kjo nuk do të ndodhte kurrë në Shtetet e Bashkuara. Nëse Gjykata e Lartë do të vendoste, le të themi, se gjinia apo raca nuk mund të përdoren si kritere për të refuzuar gjykatësit dhe Senati do të përpiqej ta bënte këtë, do t’u duhej të jepnin llogari dhe praktika do të ndalohej. Opozita as që merr pjesë në proces, në diçka kaq të rëndësishme sa zgjedhja e gjykatësve më të mirë për gjykatat më të larta, gjykatat më të rëndësishme në vend, ata thjesht nuk marrin pjesë. Vetëm partia e z. Meta, LSI dhe përfaqësuesit çamë kanë marrë një qëndrim parimor mbi këtë çështje. Nuk i kanë votat, por kanë votuar mbi parimin dhe kjo është diçka e mirë. Pra, kur e shikon si të tërë, duket shumë e politizuar, as nuk ka përpjekje për të arritur një frymë konsensusi të njërit krah me tjetrin.

është proces ndarës dhe në proces, jam shumë i shqetësuar që njerëzit më të mirë, njerëzit më të kualifikuar për këto poste po humbin në një kohë kur Shqipëria ka nevojë për çdo person të talentuar që mund të gjejë, sidomos në emërimet e gjyqësorit. Nuk e di kush i ka ngritur pretendimet dhe nuk flas për individë këtu, por çfarëdo pretendimi se ka ndonjë barasvlerë midis asaj çka po ndodh në Parlamentin këtu dhe asaj që ndodh në Shtetet e Bashkuara është absolutisht e pasaktë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›