Wollfarth: Kuvendi ka të drejtë të hetojë
Mbrojtja
Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri kërkon zgjidhjen e ngërçit
Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth, nga Uzina Mekanike e Armëve në Çekin të Gramshit, ka kërkuar sqarim të plotë ndaj qeverisë për akuzat që ka ngritur Partia Socialiste ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, për tregtinë e paligjshme të armëve, duke kërkuar hetim nëpërmjet komisioneve parlamentare. Wollfarth bëri thirrje që për çështje kaq të rëndësishme të përdoren rregullat dhe procedurat që ekzistojnë, pasi tashmë, Shqipëria është pjesë e një sistemi të rëndësishëm për sigurinë. Zëvendësministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahia, e ka quajtur të ligjshme tregtinë e armëve me vendet e tjera dhe sipas tij, kjo gjë është krejt normale, duke thënë se vetëm në 6-mujorin e parë Shqipëria ka eksportuar 2621 tonë municione dhe përfitimet financiare kanë shkuar për procesin e demontimit të armëve, pasi ky proces ka një kosto të madhe. Spahia tha se për akuzat që hedh opozita, mund të ngrejë një komision hetimor dhe të kërkojë mocion mosbesimi. Ministri i Mbrojtjes është i gatshëm që të dalë para Komisionit të Sigurisë, të shkojë në një seancë plenare apo seancë dëgjimore dhe tu përgjigjet të gjitha pyetjeve nga ana e opozitës, pasi ekzistojnë mekanizma të tilla. Ne jemi ministria më e suksesshme e kësaj qeverie dhe kemi performancën më të shkëlqyer dhe në gjashtëmujorin e parë të 2013-s do të përfundojë i gjithë procesi i demontimit të armëve të tepërta, duke i hequr një barrë të rëndë Forcave të Armatosura, ka përfunduar fjalën e tij Spahia. Eugen Wollfarth, nga Gramshi, ka folur edhe për marrëveshjen e arritur mes palëve politike në vend, sa i përket reformës zgjedhore, duke e cilësuar përfundimin e saj si një hap të madh dhe të rëndësishëm. Wollfarth tha se deri më tani, Shqipëria ka përmbushur disa prioritete të OSBE-së. Presim me besim që të enjten, kjo reformë të finalizohet. Rritja e besimit të vullnetit politik dhe tek qytetarët është një proces i rëndësishëm, ka cituar ai. Qëllimi i vizitës së ambasadorit të OSBE-së në Uzinën Mekanike të Gramshit ishte për një marrëveshje që Ministria e Mbrojtjes ka bërë me OSBE-në, në financimin e vendosjes së kamerave në distancë në këtë uzinë. Demontimi i armëve është një proces mjaft i rëndësishëm, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon, pasi eliminohen mjaft lëndë toksike që çlirohen në mjedis nga armët e tepërta. Ndihmesa e OSBE-së në procesin e demontimit ka ardhur menjëherë pas ngjarjes tragjike të Gërdecit, ku humbën jetë me dhjetëra njerëz. Ky proces shërben për rritjen e sigurisë së qytetarëve. Financimet që janë bërë në këto uzina, shërbejnë për rritjen e sigurisë në punë, është shprehur në fjalën e tij, kreu i OSBE-së.
S.Muça
Wollfarth: Kuvendi ka të drejtë të hetojë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip