Wolves në gjurmët e Brojës

Wolverhampton kërkon të transferojë në merkaton e janarit Armando Brojën. Sipas tabloidit “The Guardian”, ekipi anglez po bisedon me klubin e Chelsea-t për një huazim të mundshëm, me të drejtë blerje në verë, por për të bërë një lëvizje të tillë, klubi londinez fillimisht duhet të gjejë një tjetër sulmues.
Shitja e 22-vjeçarit do të rriste pozicionin sa i përket Fair-Play-t vendosur nga UEFA. Shuma e fituar nga lojtarët e akademisë janë fitim i pastër në termat e vendosura nga institucioni i futbollit europian. Aktualisht, Armando Broja ka zhvilluar 13 ndeshje, ku 6 i ka nisur si titullar e shtatë nga stoli, e në total ka zhvilluar 453 minuta nga të cilat ka shënuar vetëm një gol, në fitoren 2-0 ndaj Fulhamit.
Broja ka qenë kryesisht zgjedhja e dytë pas Nicolas Jackson në repartin e sulmit këtë sezon. Shqiptari mund të bjerë më poshtë në hierarki nëse Chelsea shton një sulmues në ditët e mbetura të merkatos së janarit. Pochettino pret që së shpejtë të ketë në formë optimale edhe Christopher Nkunku, i cili do të rikthehet pas një dëmtimi.
Victor Osimhen i Napolit dhe Evan Ferguson, i cili aktivizohet me Brighton, janë dy emrat që trajneri i Chelsea-t Pochettino i kërkon, ndoshta me ardhjen e një prej tyre në janar apo në merkaton e verës, atëherë për Brojën nuk ka asnjë të ardhme në klubin londinez.