E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhaja: Të ardhurat nga qiratë e pasurive të konfiskuara arritën 180 milionë lekë deri në gusht

TIRANË, 14 shtator /ATSH/ Kryeadministratorja e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Konfiskuara, Risena Xhaja deklaroi sot se të ardhurat nga administrimi dhe dhënia me qira e pasurive të konfiskuara kanë arritur në 180 milionë lekë në tetë muajt e parë të këtij viti.

Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Xhaja theksoi se gjatë viteve të fundit agjencia ka pësuar një transformim, veçanërisht sa i takon transparencës, administrimit të pasurive dhe bashkëpunimit me institucionet kombëtare e ndërkombëtare, në funksion të luftës kundër krimit të organizuar.

Sipas saj, transparenca është vendosur në qendër të veprimtarisë së agjencisë. Për herë të parë janë publikuar online katalogët me inventarin e pasurive të sekuestruara, të cilët përditësohen në mënyrë të vazhdueshme.

“Çdo qytetar, subjekt, institucion apo organizatë mund të aksesojë informacionin për pasuritë e konfiskuara dhe të sekuestruara dhe të paraqesë kërkesë për t’i marrë në përdorim ose me qira”, u shpreh Xhaja.

Sipas të dhënave, Xhaja tha se “të ardhurat nga qiratë janë rritur ndjeshëm në tre vitet e fundit. Në vitin 2023 ato ishin 79 milionë lekë, ndërsa në vitin 2024 arritën në 160 milionë lekë dhe në vitin 2025 në 221 milionë lekë. Për vitin 2026, deri në muajin gusht, të ardhurat kanë arritur në 180 milionë lekë, me pritshmëri për një rritje të mëtejshme deri në fund të vitit”.

Rritja e të ardhurave, sipas Xhajës, nuk përbën vetëm të ardhura për buxhetin e saj, por kalon në fondin e posaçëm që përdoret për mbështetjen e institucioneve ligjzbatuese dhe organizatave.

Xhaja shtoi se “edhe numri i kontratave të qirasë ka shënuar rritje. Nga 198 kontrata në vitin 2023, numri shkoi në 284 në vitin 2024 dhe 344 në vitin 2025. Gjatë vitit 2026 janë lidhur deri tani 290 kontrata, ndërsa 118 kontrata të tjera pritet të rinovohen deri në fund të vitit”.

Në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, një prej objektivave të agjencisë është që 50% e pasurive të administrohen për përdorim social. Sipas Xhajës, janë ndërmarrë hapa për kthimin e këtij objektivi në rezultate konkrete.

“Përfituese nga përdorimi i pasurive të konfiskuara kanë qenë gjykatat, prokuroritë, përfshirë strukturat e posaçme, Policia e Shtetit, Forcat e Armatosura, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si dhe institucione të tjera të pushtetit vendor”, vijoi ajo.

“Gjatë vitit 2024 janë vënë në përdorim dy pasuri të paluajtshme, 110 pasuri të luajtshme, 521 sende të lëvizshme të klasifikuara si prova materiale dhe 510 lëndë hidrokarbure. Për vitin 2025, agjencia ka evidentuar rreth 374 milionë lekë dhe 16,5 milionë euro në mbështetje të institucioneve, si dhe 4 pasuri të paluajtshme dhe 1012 sende të përdorura si prova material”, theksoi Xhaja.

Kryeadministratorja Xhaja shtoi se “gjatë vitit 2026 janë destinuar 21,5 milionë lekë dhe 1,4 milionë euro për institucionet, krahas 15 pasurive të paluajtshme dhe rreth 50 pasurive të luajtshme të vëna në dispozicion”.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›