E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhamia e Kavajës mban "gjallë" familjen Shehi

Ja si përballet me skamjen, familja me 7 anëtarë
Ylviu është një djalë vetëm 11 vjeç, por ai është ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij. Megjithëse në këtë moshë duhet të mendojë vetëm për lojërat dhe mësimet, ai duhet të mendojë në fakt për të siguruar bukën e gojës. Bashkë me nënën e tij, Lije Shehi nga Gosa, ata presin mbarimin e lutjes së të premtes në xhaminë ku predikon hoxhë Xhaferr Shkodra. Besimtarët që dalin një nga një nga xhamia, nuk harrojnë të japin diçka për familjen e varfër. Ylviu ka edhe një problem shëndetësor, këmba e tij e djathtë ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale, por familja nuk ka mundësi financiare për operimin e saj. Lije Shehi është nënë e 6 fëmijëve, tre djem dhe tre vajza, ndërkohë që bashkëshorti i saj ka vdekur para 9 vitesh. Fatkeqësitë mbi këtë familje kanë rënë një nga një, pasi djali i dytë i saj, Maringleni, gjendet i shtruar në një spital në Itali. Ai është operuar 6 herë në Shqipëri nga veshkat, por shëndeti i tij nuk pati asnjë ndryshim. Ai tashmë është në Itali ku kujdeset xhaxhai i vet, por edhe në vendin fqinj nuk do të qëndrojë gjatë. Lije Shehi thotë se nuk ka asnjë mundësi ekonomike për të mbajtur familjen gjallë, prandaj dhe me Ylviun detyrohet të lypë sa andej këndej. Kam më shumë se 1 milion lekë borxh në dyqane të ndryshme. E vetme me 6 fëmijë nuk ia dal dot, asgjë nuk më jep komuna apo shteti si familje e varfër. Edhe një ndihmë ekonomike që merrja, na e ndërprenë. Ishin vetëm 23 mijë lekë (të vjetra) dhe nuk e di se përse na i ndërprenë, më thanë të bëjë dokumente për kempin, por ato kushtojnë shumë dhe nuk kam lekë, shprehet ajo. Familja e varfër njihet nga shumë persona në Kavajë, kryesisht pronarë të dyqaneve dhe furrave të bukës. Shumë prej tyre e kanë ndihmuar me sa kanë mundur familjen e varfër. Lije Shehi thotë se më kanë ndihmuar të gjithë, sidomos furrat e bukës. Nuk kam mundësi për të blerë miell që ta bëj bukën vetë, duhen lekë dhe nuk di se ku ti gjej. Komuna e Gosës duket se është mjaftuar vetëm me ndihmën ekonomike që është vetëm 2300 lekë në muaj për një familje me 7 vetë, e cila tashmë për arsye që nuk dihet, është ndërprerë. Të paktën kam një shtëpi ku fusim kokën, megjithëse fut ujë dhe lagështi ka shumë, do ishte më keq sikur të mos kisha as shtëpi. Shtëpinë ma ka bërë një kushëriri i burrit para disa vitesh, shton me sytë e mbushur me lot nëna e 6 fëmijëve. Ndonëse shumë familje të tjera në Gosë dhe më gjerë mbijetojnë duke punuar tokën dhe duke u marrë me aktivitete të tjera, familja në fjalë nuk mund të bëjë asgjë nga këto. Tokën nuk e punon dot se duhen lekë, ndërkohë që për të bërë dokumentet e kempit asaj i kërkojnë 300 mijë lekë (të vjetra) aq sa ajo nuk i ka parë prej vitesh me sy. Na vjen turp që të dalim dyerve të botës për të lypur, por nuk kemi rrugë tjetër, thotë ajo. Ndërsa djali i saj Ylviu thotë se i pëlqen shkolla dhe mundohet që të mësojë ashtu si shokët e tjerë të klasës. Mësimi është një gjë e rëndësishme për të, por shpesh ai ka shkuar në shkollë me barkun bosh, gjë që ia ka hequr dëshirën dhe përqendrimin në mësim. Falja e së premtes shkon drejt fundit dhe 11- vjeçari afrohet drejt derës së xhamisë me dorën e shtrirë. Pas fjalëve të Kuaran-it që kanë dëgjuar brenda, besimtarët janë në provë për të marrë në konsideratë thëniet e shenjta. Rasti  i parë është një familje  e varfër, e cila shpreson se vetëm një ditë në javë (të premte) të mbledhë diçka nga 10 apo 20 lekëshat që lëshojnë në duart e 11- vjeçarit besimtarët e heshtur. Ky është një realitet i hidhur që ndeshet rëndom në qytetin e Kavajës dhe fshatra të tjerë. Niveli i varfërisë duket se nuk po shënon rënies, edhe pse politika për zbutjen e varfërisë po trumbetohen me forcë kohët e fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›