E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dilema e Albin Kurtit në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, si dilema e Ilia Garashaninit në marrëdhëniet serbo-ruse

Nga Kastriot MYFTARAJ
Albin Kurti, në shkrimin Kur braktiset e drejta jonë për fuqinë e tjetrit, të botuar në gazetën Shqip, në 14 mars 2009, paraqet versionin e vet të dilemës së marrëdhënieve mes shqiptarëve të Kosovës dhe SHBA. Në një pikëpamje të sigurt, në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane ekzistojnë dilema, të cilat vlejnë për të gjithë shqiptarët, në dyja anët e kufirit, jo vetëm për Kosovën, por edhe për Republikën e Shqipërisë, pjesën shqiptare të Maqedonisë, Malin e Zi, Luginën e Preshevës. Në pikëpamjen e Albin Kurtit, dilema në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane paraqitet kështu:
Në kohën kur SHBA- të nuk janë më perandori në kulmin e saj, në kohën kur po ringjallen perandori të tjera si Rusia e Kina, por edhe po lindin fuqi si Brazili e India, në kohën kur bota po bëhet ngadalë, por sigurt multipolare, në kohën kur edhe BE-ja po përpiqet që të bashkohet politikisht për ta zënë një vend sa më të mirë në skenën botërore, të jesh "sui generis", të mbështetesh ekskluzivisht dhe madje edhe për çështje shumë të brendshme në njërën prej perandorive është gabim që do ta paguajnë sidomos gjeneratat që vijnë. SHBA-të nuk mund ti prishin gjithnjë marrëdhëniet e tyre me BE-në e perandoritë e tjera për neve. Konsolidimi ynë i brendshëm politik dhe ekonomik, pra integriteti territorial, sovraniteti dhe zhvillimi ekonomik duhet të jenë çështje tonat për neve. Ato jo vetëm që nuk na i realizon dikush tjetër në vend tonin, por kanë rrezik të shndërrohen në monedhë për kusuritje ndërmjet perandorive. Mjafton ta kujtojmë mospërkrahjen fillestare të SHBA-ve ndaj 6 Pikëshit, që më vonë u shndërrua në përkrahje të plotë dhe presion mbi qeverinë e Kosovës, sepse SHBA- të, thjesht, nuk donin konfrontim me perandoritë e tjera (posaçërisht jo në kohën kur i kishin zgjedhjet e tyre). (gazeta Shqip, 14 mars 2009, f. 8)
Albin Kurti nuk e thotë, por ai në fakt reflekton një postulat strategjik që ka lënë për Serbinë në Naçertanje- programin nacional serb- Ilia Garashanin, sipas të cilit postulat, Serbia nuk duhet të mbështetet vetëm tek Rusia, por dhe tek fuqitë perëndimore, Britania e Madhe dhe Franca, në mënyrë që Rusia të mos mundë të luajë me interesat nacionale serbe. Sigurisht që nga armiku mund të mësosh, siç bën Albin Kurti me Ilia Garashaninin dhe këtu nuk ka asgjë të keqe. Nëse zbatojmë postulatin e Garashaninit, të cilin e ka në mendje Albin Kurti pa e thënë, në marrëdhëniet e Kosovës, apo edhe të Republikës së Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi, me SHBA, atëherë do të kishim këtë tablo: Kosova dhe Shqipëria nuk duhet të mbështeten vetëm tek SHBA, si aleat strategjik, se SHBA mund t i përdorin si monedhë këmbimi në tregun gjeopolitik, por duhet të mbështeten edhe tek fuqi të tjera të mëdha, në mënyrë që të kundërbalancohet çdo tentim amerikan për të luajtur me Kosovën, si dhe në mënyrë që Kosova të mund të sigurojë ndihmë për të prosperuar ekonomikisht. Është e qartë se Kurti shpreh këtu pezmin dhe zhgënjimin e shqiptarëve të Kosovës për atë që SHBA nuk po i ndihmon ekonomikisht, gjë që ata e prisnin madje shumë më tepër se në kohën e Jugosllavisë së Titos.
Fuqitë e mëdha që mbeten për ta luajtur rolin që thotë Kurti janë Bashkimi Europian, domethënë vendet kryesore të tij si Gjermania dhe Franca, si dhe Rusia, Kina, India e Brazili, të cilat i përmend Kurti. Albin Kurti ka detyrimin që të shprehet konkretisht, si Garashanin, dhe të thotë se cilën fuqi tjetër të madhe duhet të ketë si aleat strategjik Kosova, në mënyrë që të krijohet balanca dhe ky raport të pengojë SHBA që ta përdorin Kosovën si monedhë këmbimi në tregjet gjeopolitike, pas të gjitha gjasave në marrëdhëniet me Rusinë. Në fakt nuk ekziston asnjë fuqi e tillë, kundërbalancuese, se Franca dhe Gjermania nuk do t i hynë kurrë aventurës së kundërbalancimit të SHBA në Kosovë, në dobi të shqiptarëve, dhe e sponsorizimit të prosperimit ekonomik të Kosovës shqiptare, e gjitha kjo në dëm të Rusisë e Serbisë, dhe aq më pak Kina. Unë nuk besoj se Albin Kurti ka ndonjë aluzion se rolin që ai përmend, mund ta bëjnë India ose Brazili. Albin Kurti jep një postulat strategjik, pa përballuar konsekuencat e tij as verbalisht, çka e bën shumë ironike kritikën e Albin Kurtit ndaj politikanëve të Kosovës, të cilët i qorton se nuk bëjnë veprimet që duhet të bëjnë.
Postulati strategjik i Garashaninit, edhe pse ky i fundit ishte shumë më serioz se Kurti në përpunimin e tij, u verifikua absurd dhe e çoi Serbinë në krahët e armikut të saj Austro-Hungarisë. Ajo që propozonte Ilia Garashanin në Naçertanien e tij, ishte zbatimi i parimit të ekuilibrit të forcës në marrëdhëniet e fuqive të mëdha me Serbinë, në një raport ku Serbia do të luante rolin e Britanisë së Madhe, krijueses dhe zbatueses së parimit të ekuilibrit të forcës në Europën e pas Paqes së Vestfalisë. Në fakt ky postulat i Garashanin tregon delirin e madhështisë së Serbisë. E vërteta është se sa kohë që Britania e Madhe e shikonte Rusinë si kërcënimin më të madh strategjik ndaj imperisë koloniale britanike, dhe e pa si të tillë deri në fillim të shekullit XX, kur filloi të perceptonte Gjermaninë si kërcënim më të madh, postulati strategjik i Naçertanies për aleancat nuk mund t i sillte Serbisë gjë tjetër veç mosbesimit të të tre palëve, Rusisë, Britanisë së Madhe dhe Francës, çka edhe ndodhi. Franca kishte nevojë për aleancën me Rusinë, në mënyrë që të kundërbalanconte armikun e saj, Gjermaninë, dhe Franca nuk mund t i lejonte vetes luksin që të prishej me Rusinë për hir të Serbisë, siç postulonte Garashanin.
Kur Serbia i kërkoi Rusisë përfitime territoriale në dëm të Imperisë Osmane, pas Luftës Ruso-Osmane të viteve 1877-1878, nga Rusia erdhi përgjigja, shumë pezmatuese për serbët, se të parat janë interesat e Rusisë, të dytat të Bullgarisë dhe pastaj vijnë ato të Serbisë. Sigurisht që ky ishte reagimi rus për Naçertanien, të cilën rusët sigurisht që kishin arritur ta shtinin në dorë. Në anën tjetër, Britania e Madhe dhe aq më pak Franca, nuk kishin ndërmend të hynin në konflikt me Rusinë për interesat e Serbisë. Atëherë Serbia e fyer u afrua me armikun e Rusisë, Austro-Hungarinë, pra me botën gjermanike, të cilën e shikonte si pengesën më të madhe për realizimin e aspiratave nacionale serbe, për zgjerimin territorial të Serbisë. Ky ishte konfirmimi i absurditetit të Naçertanies.
Albin Kurti nuk e le pa e përmendur Rusinë në fuqitë e mëdha, dhe nuk e përjashton atë shprehimisht si kundërbalancuese të SHBA, sa i përket Kosovës. Kjo është simptomatike për mendimin e Kurtit, i cili nuk është çudi që ta çonte Kosovën në krahët e Rusisë në rast se zbatohej, ashtu siç e çoi Serbinë në krahët e Austro-Hungarisë dikur. E vërteta e pamohueshme është se Kosova, ashtu edhe Republika e Shqipërisë, nuk kanë alternativë në aleancën strategjike me SHBA. Nëse nuk do të ishte për SHBA, jo vetëm Kosova do të spastrohej përsëri nga shqiptarët dhe do të aneksohej nga Serbia, por edhe Republika e Shqipërisë do të ndahej mes Serbisë dhe Greqisë, në lumen Drin ose Mat. Kjo gjë mund të kishte ndodhur në të shkuarën e afërt, në 1997 në Republikën e Shqipërisë, kjo gjë në fakt ndodhi në Kosovë në 1999, dhe mund të ndodhë nesër në çdo moment që të jetë e mundur, te të dy vendet.
Për të vazhduar analogjinë e mendimit të Kurtit me të Garashanin, Serbia pasgarashaniniane, e zhgënjyer nga Rusia mund t i lejonte vetes që të afrohej me Austro-Hungarinë, ekuivalentin e Rusisë për Kosovën e sotme. Serbia mund ta bënte këtë lojë pa pasur frikë se pësonte rreziqe në të ardhmen e afërt, se fqinjët e saj të cilët i perceptonte si burim rreziqesh, Imperia Osmane dhe Bullgaria, nuk pritej që të cënonin status quo të vendosur nga fuqitë e mëdha në Kongresin e Berlinit, duke sulmuar Serbinë. Mandej, tekefundit, serbët e kishin të qartë se, nëse Serbia do të rrezikonte të mbytej nga përqafimi i Austro-Hungarisë, Rusia do të ndërhynte për ta shpëtuar. Përndryshe, shqiptarët e Kosovës as që mund t i lejojnë vetes luksin e përqafimit jo më me fuqinë e madhe armike, siç bëri Serbia dikur, por as edhe me një fuqi tjetër të madhe, të perceptuar si aleat kundërbalancues i SHBA. Ky do të isht

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›