Xhamia e Madhe, Basha mbledh komisionin

Nga mbledhja e komisionit për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në Tiranë
Kemi vullnetin për ti dhënë komunitetit institucionin e munguar. Selim Muça: Më në fund po konkretizohet.
Kryebashkiaku: Brenda marsit të mbyllet faza e konsultimeve.
Nis nga puna komisioni për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në Tiranë. I iniciuar nga Bashkia e Tiranës dhe miratuar nga Këshilli Bashkiak ai u mblodh dje për herë të parë. Kryebashkiaku Lulzim Basha kërkoi që brenda muajit mars të përmbyllet faza e konsultimeve, diskutimeve dhe e vendimmarrjes për çështjet e shtruara për diskutim. Në mbledhjen e djeshme u vendos ngritja e një grupi pune, i cili do të përgatisë propozimet për vendimmarrjen në komision. Në to përfshihet propozimi për vendin ku do të ngrihet xhamia e re, si do të veprohet për projektin e xhamisë. Po kështu do të ketë konsulta në përcaktimin e një arkitekti për projektin e ri apo do të bëhet konkurs për projektimin e këtij institucioni. Koha ka ardhur dhe ka kaluar, që edhe Xhamia e Madhe të jetë një realitet në Tiranë dhe që ti japim fund problemit të përvitshëm, për të cilin fatkeqësisht nuk ka pasur zgjidhje në këtë dekadë, të besimtarëve që dalin në rrugë për ditët festive. Vullneti për ta përfunduar këtë vepër që i mungon qytetit të Tiranës është i plotë te Bashkia e Tiranës, tha Basha. Sipas tij, ngritja e komisionit do të bëjë të mundur që çdo vendimmarrje që do të bëhet të jetë transparente dhe ti përcillet në kohë reale qytetarëve të Tiranës, publikut të Tiranës. Gjykoj se kjo risi është e domosdoshme, që ne të kemi sukses në ndërmarrjen tonë, tha kryebashkiaku. Kryetari i Komunitetit Mysliman, Haxhi Selim Muça, shprehu kënaqësinë që më së fundi nisi funksionimin një komision, në të cilin do të diskutohet dhe vendoset për ndërtimin e Xhamisë së Madhe të Tiranës. Unë dua tju them së pari se jam shumë, shumë i kënaqur që më në fund u arrit të ngrihet një komision i tillë, për të biseduar e marrë disa vendime lidhur me ndërtimin e Xhamisë së Madhe, që ne e kërkojmë ka kaq vjet, por asnjëherë nuk u mblodh një komision i tillë, që ta ketë me gjithë shpirt, që të ketë mirësinë e nevojës për një Xhami të tillë të madhe, tha kreu i Komunitetit Mysliman. Ndërkaq, kryetari i Këshillit Bashkiak, Njazi Kosovrasti, tha se kryeqytetit i duhet një xhami që të jetë e kohës dhe moderne, të jetë vërtet me ato katet dhe gjithçka të jetë ashtu siç e kërkon ky komunitet kaq i rëndësishëm mysliman i kryeqytetit. Ky komunitet e meriton të ketë një xhami të përmasave të tilla dhe të jetë vërtet, vërtet për tu admiruar nga të gjithë ne, ndaj ti mendojmë mirë të gjithë hapat, situatat, të gjithë projektet ti shohim me kujdes, në mënyrë që produkti të pëlqehet nga të gjithë, në mënyrë të veçantë nga përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman, tha Kosovrasti.
Përbërja e komisionit për xhaminë.
Komisioni përbëhet nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, kryetari i Komunitetit Mysliman, nënkryetari, sekretari i Përgjithshëm, përfaqësuesi i Komitetit të Kulteve, përfaqësuesi i prefektit, i Këshillit të Qarkut, myftiu i Tiranës, tre përfaqësues të komunitetit të besimtarëve të Tiranës, përfaqësues i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Këshillit të Ministrave, shoqatës Tirana, administratori i Përgjithshëm i Bashkisë dhe 5 drejtorë, tre drejtorë të përgjithshëm të Planifikimit të Zhvillimit të Territorit, Planifikimit të Menaxhimit të Shërbimeve, Projekteve Strategjike e Investimeve të Huaja dhe dy drejtorë të Planifikimit të Territorit dhe i Kontrollit të Zhvillimit të Territorit.
ZIRINA LLAMBRO