E Diel, 1 Nëntor 2026

Aborti selektiv, Shqipëria e ka tejkaluar këtë fenomen

Drejtori i maternitetit Mbretëresha Geraldinë, Halim Kosova

Debati/ Flet drejtori i maternitetit Mbretëresha Geraldinë, Halim Kosova.

Zgjedhja e seksit para lindjes është për tu dënuar si një fenomen që gjen rrënjët në një kulturë të pabarazisë gjinore dhe përforcon një klimë të dhunës kundër grave. Kështu thuhet në raportin e fundit të Këshillit të Europës për abortet selektive. Sipas KE-së, raste të tilla sjellin pasoja të dëmshme në shoqëri, duke përfshirë zhbalancime të popullsisë, rritje të kriminalitetit dhe trazira sociale. Shqipëria edhe në këtë rast nuk ka shpëtuar pa u vendosur në listën e zezë të vendeve ku fenomeni ekziston. Të parat në listë janë vendet aziatike, por sipas KE-së, ka dëshmi të forta se kjo ndodh edhe në disa shtete anëtare të Këshillit të Europës, si Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani dhe Gjeorgjia. Në rezolutën e miratuar pak muaj më parë u është kërkuar të ndërhyhet në legjislacion, duke marrë masa që prindërve të mos u lejohet të dinë gjininë e foshnjës deri sa ajo të vijë në jetë. Debati ka përfshirë autoritetet shëndetësore dhe specialistët e fushës. Për një pjesë fenomeni ekziston, për të tjerë është minimizuar ndjeshëm ndër vite. Drejtori i maternitetit Mbretëresha Geraldinë ndan mendimin e fundit. Në intervistën e tij për gazetën, ai madje ngre pyetjen përse shtrohet tani kjo problematikë, kur mund të quhet e tejkaluar.
Zoti Kosova, ditët e fundit është hapur debati mbi masat që duhet të merren për abortin selektiv në vendin tonë. Njëra prej tyre e kërkuar edhe nga KE-ja është fshehja e gjinisë së foshnjës deri sa të vijë në jetë. A është e nevojshme kjo ndërhyrje në legjislacion sipas jush?
Që kur kjo ide filloi të qarkullojë në vendin tonë, si dhe për të qenë më i saktë në gjykimin tim rreth këtij fenomeni, mora një copë letër dhe fillova të regjistroj çdo ditë gjatë punës sime rastet që kërkonin të dinin seksin e fëmijës për qëllim ndërprerje në qoftë se ai nuk korrespondonte me dëshirën e prindërve. Nuk mu desh shumë punë, se për gati 3 muaj vetëm 3 raste pata midis vizitave të shumta  që kam çdo ditë. Ajo që më rezulton nga to është se 2 kishin djem dhe e dëshironin vajzë, ndërsa 1 rast kishte vajza dhe e dëshironte djalë. Duke qenë se jam marrë me përdorimin e ultratingujve për të ekzaminuar fëmijën në barkun e nënës që në vitin 1985, kur ekzistonte vetëm një eko për gjithë Shqipërinë e them me bindje të plotë që ky fenomen ka ardhur në minimizim të pabesueshëm ndër vite.
Cilët janë disa nga faktorët që kanë sjellë këtë minimizim të fenomenit?
Më pëlqen të nënvizoj faktin që feja në shumë zona ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në uljen e të tilla seleksionimeve, ndërgjegjja e njerëzve ka ardhur në rritje dhe tashmë në fund të vizitës, pothuajse  gjithnjë e më shpesh dëgjoj: -E ka falë Zoti, të jetë me jetë. Gjithashtu edhe  personeli mjekësor duhet të punojë më shumë për të shpëtuar të tilla jetë në rast rreziku, duke punuar me prindërit për ti shpjeguar me durim atyre që edhe kjo barrë mbart në vetvete një fëmijë, që vetëm për pak muaj do të jetë si të tjerët që ata kanë në shtëpi.
Por ndërkohë Shqipëria etiketohet si vend problematik, çfarë masash mund të ndërmerren për të parandaluar abortin selektiv?
Edhe pse në ulje të jashtëzakonshme ky fenomen, për mendimin tim ndërgjegjësimi, edukata shëndetësore në vazhdim e popullatës, si dhe puna me zemër e personelit mjekësor do të parandalojnë raste të tilla. Të mos harrojmë që në fund për fëmijën në barkun e nënës vërtet vendimin e merr prindi, por ai gjithnjë influencohet në mënyrë të padiskutueshme nga mjeku me të cilin ka kontakt. Dëshiroj të theksoj faktin se aty ku vendimtare për marrjen e çdo vendimi është përgjegjshmëria që çdonjëri nga ne duhet të ketë për fëmijën, gruan, familjen, shoqërinë, si dhe për vendin e tij të punës, rritja e saj në mënyrë të vazhdueshme është një nga çelësat më të rëndësishëm për çdo komb. Pavarësisht të gjithave, më rri një pyetje në mendje: Po pse xhanëm ngrihet tani një problem i tillë, kur tashmë për mendimin tim nuk është më fenomen?

Saktësia e gjinisë
Ligjërisht një abort nuk mund të kryhet pas javës së 12-të të shtatzënisë. Deri në këtë hark kohor, nga sa sqarojnë mjekët, ekografikisht siguria për përcaktimin e gjinisë së bebes është në masën 20%, ndërsa mundësia e gabimit është 80%. Pra, në institucionet publike nuk mund të kryhet një abort selektiv. Ndërhyrje pas javës së 12-të kryhen vetëm në rastet e anomalive, me firmat e një komisioni mjekësh. Por mungesa e kontrollit ndaj klinikave private flet për raste kur ligji shkelet me të dyja këmbët.

ZIRINA LLAMBRO

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›