E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhemali: Zgjerim i instrumenteve financiare dhe zhvillim i tregut shqiptar

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) zhvilloi një takim me përfaqësues të tregut bankar në vend, ku u diskutuan mundësitë e reja për zhvillimin e tregut financiar shqiptar.

Takimi u fokusua në zgjerimin e gamës së instrumenteve financiare për investitorët vendas dhe rëndësinë e edukimit financiar, i cili konsiderohet kyç për përdorimin e përgjegjshëm të produkteve më të avancuara dhe për mbështetjen e një pjesëmarrjeje më të informuar në treg.

Diskutimi u zhvillua si pjesë e një shkëmbimi teknik konstruktiv, me qëllim paraqitjen e përvojës ndërkombëtare dhe forcimin e mirëkuptimit mbi kategoritë e produkteve financiare në shqyrtim.

Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e AMF, Adela Xhemali, vlerësoi rëndësinë e këtij dialogu për zhvillimin e tregut të kapitaleve në Shqipëri.

Ajo theksoi se, megjithëse tregu i kapitalit mbetet në fazë zhvillimi, trendi rritës është inkurajues dhe rritja e kompleksitetit të produkteve kërkon standarde më të larta të menaxhimit, transparencës dhe mbrojtjes së investitorit.

Në këtë kontekst, tha ajo, AMF do të vazhdojë të mbështesë inovacionin dhe ekspertizën ndërkombëtare, duke garantuar respektimin e kuadrit rregullator dhe duke punuar ngushtë me të gjithë aktorët e tregut për të ndërtuar një treg kapitali më të zhvilluar, më të qëndrueshëm dhe më të besueshëm në Shqipëri, në linjë me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

“Megjithëse tregu i kapitalit mbetet në fazë zhvillimi, trendi rritës mbetet inkurajues. Rritja e kompleksitetit të produkteve kërkon standarde më të larta të menaxhimit, transparencës dhe mbrojtjes së investitorit. Në këtë kuadër, Autoriteti do të vazhdojë të mbështesë inovacionin dhe ekspertizën ndërkombëtare në treg, duke siguruar njëkohësisht respektimin e plotë të kuadrit rregullator. Në linjë me procesin e integrimit në BE, do të vijojmë të punojmë ngushtë me të gjithë aktorët e tregut për të ndërtuar një treg kapitali më të zhvilluar, më të qëndrueshëm dhe më të besueshëm në Shqipëri”, theksoi Xhemali.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›