E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhevahir Spahiu, poeti i fjalës

Xhevahir Spahiu

Bujar Plloshtani

Tiranë, 20 dhjetor 20:06 NOA - Poeti i mirënjohur Xhevahir Spahiu mbetet intim me botën e tij prej poeti modern.

Xhevahiri flet me figura poetike, me plot metaforë, vargjet e tij ndodhen pranë formës lakonike, ku poezia e tij merr tjetër formë ku radhitet brenda detyrës së një rëndësie të veçantë.

Ai e ka të vështirë të shtirët, fjala e tij buron nga mistere emocionale ndaj poezisë që ndryshon konceptin e të menduarit, ngjall lirinë e fjalës përballë vargonjve të robërisë, ushtrimit të dhunës, thjesht mbetet poet qiellor dhe i armatosur me fjalën e të vërtetës, pastaj shllimi në lirikat e tij mëson të drejtën sesi duhet lundruar mendimi i përgjithshëm shqiptar, gjithashtu mëson njeriun dhe fatij e tij të triumfojë ndaj mediokritetit të turmës, e cila mund të shkaktojë reforma degradimi mbi njehsimin e vlerave të unifikuara të shoqërisë shqiptare.

Poezia “Fjala” është udha që ka kaluar “robëria” e popullit shqiptar, ku gjeneza e saj ka gjetur burimin e saj nga shteti komunist, ku sa herë ideja dhe mendimi tejkalonin çdo nismë të komunizmit, shpërthente revolta e “fjalës”, por gjithnjë brenda trishtimit të përgjithshëm shpirtëror; pastaj dimensioni tjetër mbetet udha që ka kaluar vetë poeti, në ato drithërima misterioze që brenda fatit të poetit tonë shkruhej vuajtje dhe goditja ndaj tij për fatin që Xhevahiri thirte në të vërtetën e shtetit dhe popullit të tij.

Ai është poeti më zë që ka kaluar kufijtë e shtetit, dhe misioni i tij, përfundimisht mbetej fjala dhe poezia goditëse.

“Fjala” e poetit Xhevahir Spahiu është leksioni i fundit për t’u çliruar nga udha e gjatë e dështimeve dhe qeverisjes naive të shteteve komuniste, nga ku kërkon të mëvetësohet thelbësisht fjala e lirë, pastaj fjala, si shprehje e mëvetësishme të mbizotërojë si e drejtë e domosdoshme e gjithëkujt.

Poezitë e Xhevahir Spahiut janë dekoruar me vlerësimet e shumë pendave të mirënjohura evropiane, ky vlerësim nuk është vetëm për vetë poetin, por dhe për gjithë ne mbetet krenaria jonë e fjalës së shkruar.

“Fjala” është triumfi i së vërtetës, dhe udha drejt fjalës së iluministe; simboli i goditjes poetike ndaj klasës politike komuniste, duke formuar bindjen se kjo politike është një udhë që mund të na diktoje drejt një fati tragjik.

Poezia e tij është e lirshme, e dashuruar pas valseve të natyrës për një të ardhme më të mirë, dhe drejt udhës poetike të lirisë, ku secili njeri i thjesht do ta lexojë dhe admirojë me gjithë virtytin më të lartë njerëzor, fjalën që shkruhet, dhe kjo fjalë që historinë nesër na shkruan me germa të arta.

Sipas poetit tonë kombëtar, Xhevahir Spahiu me dashuri e me poezi mund të trokasim tek dera e politikës, ku këta të fundit të na dëgjojnë edhe fjalën tonë, ku ne me poezinë dhe artin të ndërtojmë të ardhmen tonë të përbashkët, me shpresë se do të gëzojmë fytet që do na sjellë.

b.p/NOA

Fjala

I thanë fjalës: tani je e lirë.

Po fjala s’kish fuqi t’u thosh: nuk më duhet.

E ç’më duhet

kur s’u thashë atëherë kur duhej?

Kam mbetur pa krahë,

kam mbetur pa qiell,

jam jetë pa ëndërr,

jam ëndërr pa jetë.

I thanë fjalës: je e lirë.

Vështirë, tha fjala, sa vështirë

të besosh se je e lirë;

pasi ke ngrënë rrokjet e tua,

pasi ke mbetur cung

dhe liria bëhet burg.

I thanë fjalës: liria jeton.

Fjala ua ktheu:

S’jam si Kostandini që pas vdekjes udhëton.

I thanë fjalës: ti je liria.

Për ta kuptuar këtë të duhet fare pak.

Ajo e besoi,

ajo hapi gojën,

po në vend të tingujve

prej saj

doli gjak.

(nga libri me poezi: Kohë e krisur)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›