E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhevahir Sukaj nuk kalon provën tek Hansa Rostok

Sulmuesi shqiptar, Xhevahir Sukaj nuk e ka kaluar provën tek skuadra gjermane e Hansa Rostok. Pasi u stërvit tri ditë me skuadrën e Bundesligës II gjermane, sulmuesi ka marrë dhe përgjigjen negative nga drejtuesit e klubit. "Na nevojitet një lojtar, i cili do të luajë si titullar në sezonin e ri. Lojtari i ri në repartin ofensiv duhet të jetë më i miri se futbollistët që aktualisht janë titullarë", deklaroi trajneri Andreas Zahuber, që duket se ka dhënë vendimin final për të mos i ofruar kontratë shkodranit.
Skuadra gjermane Hansa shihej si shansi i madh i Sukaj për sezonin e ri. Madje, në fillim të javës u mendua se 21 vjeçari do të firmoste pas paraqitjes së mirë në miqësoren e fituar 12:1 me amatorët e Gëstrov, ku ishte autor i dy golave, megjithëse u aktivizua vetëm në 45 minutat e dyta të takimit. Por, paraqitja në fushë dhe pamjet filmike që skuadra gjermane kishte kërkuar duket se nuk kanë mjaftuar.
Pasi u aktivizua me Vllazninë në gjysmën e dytë të edicionit të kaluar, lojtari mbeti pa skuadër. Drejtuesit shkodran nuk pranuan ta zgjasnin qëndrimin e futbollistit. Largimi nga Vllaznia dhe shanset për të luajtur në një kampionat jashtë Shqipërisë bënë që ai të zgjidhte personalisht problemet me turqit e Haxhetepes, duke vendosur të paguajë për të blerë kartonin nga klubi. Me përfaqësuesen U-21, Sukaj ka luajtur tetë ndeshje, ku ka shënuar një gol, ndërsa me Kombëtaren shqiptare regjistron vetëm një paraqitje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›