“Xhevahiri më i çmuar i kurorës”, kryeministri Rama përgëzon

E marta ka qenë një mbrëmje për t’u mbajtur mend, teksa skiatorja kuqezi, Lara Kolturi, ka shënuar një tjetër kulm të karrierës së saj të re. 17-vjeçarja italiane që përfaqëson Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, ka bërë një paraqitje të shkëlqyer në stacionin e radhës të Kupës së Botës në ski.
Ajo arriti të renditet në vendin e 9-të, një arritje kjo historike për 17-vjeçaren premtuese, që ngjitet kështu në 10-shen e parë të botës. Ky sukses i skiatores kuqezi është përshëndetur edhe nga kryeministri Edi Rama, që ka përgëzuar 17-vjeçaren, duke e konsideruar si “xhevahiri më i çmuar i kurorës së Federatës Shqiptare të Skive”.
“Një tjetër rezultat fantastik për Shqipërinë! Skiatorja Lara Colturi, italiania që vendosi bashkë me prindërit të përfaqësojë flamurin më të bukur në botë, u klasifikua për herë të parë në Top 10, në një garë të Kupës së Botës.
Urime Federatës Shqiptare të Skive, e cila falë pasionit të paepur të presidentit Elvis Toçi, ka krijuar një bërthamë talentesh me djem e vajza shqiptare, që stërviten në pistat e Italisë e jo vetëm, ndër të cilët Lara është sot për sot xhevahiri më i çmuar i kurorës”, shkruan kryeministri Edi Rama në faqen zyrtare në Facebook.