Xhind si ty gjëkund skam hasur
Vargje nga Arben Duka
Hoqe dorë nga bërthamori
Nuk e dimë se si e pate
Tani të punon motorri
Veç për arra e patate
Nëpër fusha nëpër male,
Jelek antiplumbi veshur,
Veç me ty gjithë këto halle,
I kaluam duke qeshur!
Skam menduar e skam parë,
Xhind si ty gjëkund skam hasur,
Po të kishim mbjellë ca arrë,
Do të ishim shumë të pasur… (!)
Kështu ti, i the Librazhdit,
Nja tri ditë më përpara,
Po edhe gomari grazhdit,
nuk bën dot kaq shumë shakara!
…Poshtë e lart kemi ullishte,
Jeta shtyhet me ulli,
Po mirë fare do të ishte,
Po të mbillnim ca lajthi (!)
Ku ka lisa dhe lofata,
Nuk po bëj hiç thashetheme,
Që të dalim nga mizerja,
Ja, do mbjellim ca cerceme
Tash cercem i themi ne,
Po e njëjtë krejt është raca,
Në Tiranë e Myzeqe,
U thonë ndryshe dhe caraca
Do të ngrihej Shqipëria,
Do të bëhej fare zonjë,
Po të mbillte vegjëlia,
Nëpër kodra dhe ca ftonj!
Do të ikte errësira,
Do të vinte ditë e bardhë,
Po të mbillnim në rrëpira,
Ndonjë fik a ndonjë dardhë…(!)
Qeveria sbën qilizëm,
Po tregon ca rrugë të buta,
Si ta përballojmë sot krizën,
Me domate dhe me fruta!