E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Xhixho: Arsimi, prioritet i yni

TIRANA, 28 janar /ATSH/ Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka ngritur shqetësimin për gjendjen e arsimit në Shqipëri.

Nënkryetarja e Partisë së Lirisë thekson se “mësuesit shqiptarë janë më të keqpaguarit në Europë”.

“Në raport me inflacionin, pagat e mësuesve kanë rënë në shumë vende të Europës, por në Shqipëri kanë rënë në mënyrë drastike”, shkruan Xhixho.

Sipas Xhixhos po humbasim mësues e nxënës çdo vit, sepse të dy palët kanë humbur shpresën.

“Numri i maturantëve është në rënie çdo vit. Një në tre maturantë largohet me të mbaruar shkollën e mesme. Në vetëm pesë vjet, në vend janë mbyllur 202 shkolla publike. Në pesë vjet 58 mijë nxënës janë larguar në 5 vite nga Shqipëria! Në vitin 2024, shkollave të vendit u munguan mbi 2 mijë mësues.  Rreth gjysma e mësuesve në sistem nuk kanë njohuritë e duhura për të dalë përpara një klase me nxënës”, shkruan Xhixho.

Xhixho thekson më tej se “nuk investohet në arsim, sepse qeveria nuk e ka pasur kurrë prioritet. Inflacioni dëmton mësuesit e pensionistët, por nuk prek aspak projektet korruptive”.

“Para ka por jo për mësuesit; rritje reale bëhet, por jo për mësuesit. Nxiten projektet që çojnë para në xhepat e klientëve të qeverisë dhe jo degët prioritare”, shkruan më tej Xhixho.

Sipas Xhixhos qeveria ka dështuar me arsimin, ndërsa shton se ringritja e tij është jetike.

“Për ne është prioriteti numër një!”, shkruan Xhixho.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›