E Martë, 3 Nëntor 2026

Xhixho: PL, propozime konkrete që arsimi të kthehet në prioritet

Deputetja, njëherësh nënkryetare e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho, gjatë një deklarate për median e ka vënë theksin tek mungesa e stafit të mësueseve në shkollat e vendit.

Duke marr shkak nga ky pretendim, Xhixho më pas, ka bërë publike disa propozime që sipas saj, PL-ja e konsideron si “shpëtimin e arsimit”.

Duke iu referuar portalit “Mësues për Shqipërinë”, Xhixho tha se,  “arsimi 9-vjeçar dhe të mesëm i mungojnë 159 mësues matematike.

“Shkollat shqiptare vuajnë mungesën e mësuesve. Ndërsa universitetet e vendit po zbrazen me shpejtësi, në shkolla nuk ka mësues për lëndët më të rëndësishme. Në të gjithë vendin, arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm i mungojnë 159 mësues matematike, sipas vetë Portalit Mësues për Shqipërinë.”, tha Xhixho.

Por jo vetëm kaq u shpreh ajo, sepse mungesa ka edhe për mësuesit ndihmës.

Duke e vlerësuar si emergjencë ndërhyrjen e qeverisë në sistemin arsimor në vend, deputetja Xhixho ka bërë disa propozime në emër të Partisë së Lirisë.

“Miratimin me ligj në Parlament të një niveli dysheme të investimit në arsim dhe kërkim shkencor në masën 5% e GDP-së. Miratimin me shumicë të cilësuar të nivelit të pagave të mësuesve në piramidën e pagave. Miratimin me shumicë të cilësuar të ligjeve kryesore të arsimit. Gjithashtu me shumicë në Parlament duhet të miratohen edhe strategjitë e arsimit, programet, kurrikulat, dhe politikat arsimore. Për vendime kaq jetike për vendin është e domosdoshme dakordësia e të gjithëve. Kthimin e mësuesisë dhe shkencave në degë prioritare. Si rrjedhojë, ato duhen trajtuar me incentiva dhe praktika që nxisin motivimin e studentëve. Reformimin e thellë të kurrikulave dhe aftësimin e mësimdhënies. Mbështetjen me investime prioritare të degëve të teknologjisë, informacionit dhe inovacionit në ofruesit e arsimit profesional dhe në institucionet e Arsimit të Lartë” përfundon Xhixho.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›