E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhoana Nano feston 40-vjetorin e ditëlindjes

TIRANE - Supersticiozët, nga ata që do linin shokun të hidhte hapin e parë e vetë do qëndronin mbrapa në rast se do t’u dilte përpara një mace e zezë, nuk do ta festonin 40-vjetorin. 

Siç duket, Xhoana Nano as që ndikohet fare nga të tilla mendime irracionale, për më tepër aq sa të mos gëzojë një natë mes miqsh. Pastaj, është martuar me Fatos Nanon, dhe në është mjegulluar ndonjëherë nga besëtytnitë, tani do jetë krejt e pastër.

Pak ditë më parë, në restorantin e saj “Pulëbardha”, i njohur tashmë për shumëkënd, pranë stadiumit “Dinamo”, Xhoana Nano ka mbledhur një rreth të ngushtë për të festuar 40 vitet e saj. Nuk ishte e vështirë të mësoje arsyen e kësaj darke pasi kishe parë Xhoanën, të bukur sa gjithmonë, të hynte në restorant. Sepse ajo e tyre nuk ka qenë një darkë e zhurmshme nga ato që e marrin vesh të gjithë. Të mos ishte për rastësinë që na bëri ta ndeshim, as që do ishte dëgjuar.

Mbase edhe për shkak të zhurmave politike nën të cilat po jetojmë këto ditë, çifti ka zgjedhur që rreth tryezës të jenë vetëm miqtë fare të afërt të familjes, si dhe vetë familjarët. Pra, as më shumë e as më pak se 30 veta. Darka ka nisur rreth orës 20:00 të mbrëmjes, për të përfunduar në orët e para të mëngjesit të së dielës. Domosdo, me shijen e pjatave të mira të peshkut dhe verës së përzgjedhur nga Nano, mund të zgjaste edhe më shumë. Është mësuar se, ndryshe nga ç’flitet a thuhet, çifti pjesën më të madhe të kohës e kalon në kryeqytetin e Shqipërisë e jo në atë të Austrisë, siç flitet kafeneve. Darkat e përvjetorëve të rrumbullakosura Nanot nuk i kanë lënë pas dore.

Kujtojmë që edhe një vit më parë, kur martesa e tyre bëri plot 10 vjeç, kanë festuar në po të njëjtin restorant, të cilin e shoqja e ish-kryeministrit e drejton tashmë prej kohësh. Vetëm se atëherë, edhe për shkak të “gëzimit” të një restoranti të ri (paraleli i të cilit ka qenë prej vitesh në bregdetin e Vlorës), numri i të ftuarve ka qenë shumë më i madh dhe mes tyre nuk kanë munguar deputetët, ish-zyrtarët e Partisë Socialiste e ambasadorët në Tiranë. Mbase edhe pse nuk është aq e lehtë tashmë, brenda e jashtë partie, se kë të ftosh e kë të përjashtosh!

(er.nu/Unegruaja/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›