E Diel, 1 Nëntor 2026

Pakti për telekomin, “Telenori” serb zyrtarizohet në Kosovë

PRISHTINE - Serbia ka lëshuar pe që Kosovës t’i mundësohet marrja e kodit shtetëror telefonik, por me kusht që një operator serb të operojë në Kosovë legalisht.

Kjo është marrëveshja mes Prishtinës e Beogradit për çështjen e telekomit, e cili pritet që brenda pak ditëve të bëhet publike dhe të nisë zbatimi i saj, bëjnë të ditur burimet të gazetës “Zëri”.

Ndonëse Beogradi që nga paslufta ka shfaqur ambicie që të fusë një operator serb në Kosovë, edhe pse nuk i është lejuar, ajo ka arritur që për vite të tëra, operatori i saj ilegal “Telenor” të operojë nëpër enklavat serbe.

Tani, me marrëveshjen politike mes palëve, një gjë të tillë do ta bëjë në mënyrë haptas.

Jozyrtarisht një zyrtar nga Qeveria e Kosovës bën të ditur se ky operator do të jetë MVNO serbe, që do të operojë përmes telekomit të Serbisë dhe do të jetë funksionale vetëm në komunat me shumicë serbe.

Por, këtë e hedh poshtë një zyrtar serb në Beograd, i cili thotë për “Zërin”, se Beogradi ose do të futet gjithandej Kosovës ose askund.

“Nuk e di unë se si do të plasohet para mediave, se si do ta shpalosin marrëveshjen zyrtarët qoftë të Prishtinës apo Beogradit, por operatori serb do të jetë funksional në tërë vendin. Kush do ta përdor atë, ju mbetet qytetarëve për ta vendosur”, tha ai.

Çmimet pritet të jenë shumë më të lira, në krahasim me dy operatorët tjerë të Kosovës, “Vala” dhe IPKO.

“Jam më se i bindur se me çmimet që do t’i ofrojë operatori i tretë serb në Kosovës, do të marrë shumicën e tregut kosovar. Do të jetë shumë i lirë, i favorshëm me oferta që asnjëherë qytetari Kosovës nuk i ka pasur”, tha ai. 

(er.nu/zeri/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›