Xhokaxhi: Më mirë Rajmondën dhe Spartakun se pa gjë fare
Balerini Leonard Xhokaxhi rikthehet në TOB për të vënë në skenë dy suita nga baletet e Glazunovit dhe Khachaturian-it. Në këtë produksion të paparashikuar, ai ka përfshirë edhe solistë të "Ajkun Ballet Theatre" dhe shpreh rezerva për trupën kombëtare: ka nevojë për shumë punë
Balerini dhe koreografi, Leonard Xhokaxhi (Ajkun), rikthehet në skenën shqiptare me dy suita të shkëputura nga baletet "Rajmonda", të kompozitorit Alexander Glazunov, (1865-1936), dhe "Spartaku", krijim i kompozitorit rus me origjine armene, Aram Khachaturian (1903-1978).
E para është krijimi i fundit i epokës së romantizmit në balet, ndërsa "Spartaku" është produksioni i fundit që Xhokaxhi ka vënë në skenë me kompaninë e tij të baletit "Ajkun Ballet Theatre", në Nju Jork. Këto janë ditët e fundit para premierës dhe gjithë trupa e balerinëve është zhvendosur nga salla e baletit në skenën e TOB-it.
Përpara Xhokaxhiut, që në këtë shfaqje është njëherazi koreograf dhe kërcimtar, balerinët bëjnë provat e fundit. Dikush është mirë dhe dikush ka ende nevojë për punë. Gjëra këto që Xhokaxhi nuk ngurron t'ua thotë në sy. E, madje, të kthejë sërish numrin nga e para, për t'u dhënë një mundësi tjetër.
Në këtë vënie në skenë shqiptare, në datat 16-19 qershor Xhokaxhi ka ftuar edhe solistët e "Ajkun Ballet Theatre", Se Jong Kim dhe Marie-Lorene Fichaux, interpretimi i të cilëve është i një niveli tjetër nga ai i solisteve të TOB-it. I ftuari tjetër është shqiptari Astrit Zejnati.
Në këtë intervistë, ish-solisti i parë i TOB-it, rrëfen shkurtimisht për pjesët e zgjedhura, trupën e baletit dhe mundësinë për një balet më cilësor.
Z. Xhokaxhi, keni ndonjë lidhje të veçantë me këto pjesë baleti që keni zgjedhur për në skenën e TOB-it?
Jo, nuk kam asnjë lidhje të veçantë. "Spartaku" është një balet që unë e kam me shumë pasion, plus që ka qenë dhe produksioni i fundit që kam vënë në Nju Jork.
Në këtë shfaqje kam rikrijuar dhe rikompozuar duke e marrë nga historia origjinale një pjesë të caktuar. Ndërsa nga "Rajmonda" kam zgjedhur atë çka bëhet normalisht në gjithë botën.
Përse vetëm këto dy suita?
Arsyeja është tepër e thjeshtë. Ky është një balet me një cilësi të jashtëzakonshme artistike. Me një muzikë të shkëlqyer. Është me shumë temperament (temperamental), i përshtatet edhe natyrës sonë si shqiptarë.
Ne na pëlqen drama, na pëlqen vdekja, të gjithë këto gjërat e mëdha. Por e kam zgjedhur edhe për një arsye tjetër, sepse TOB-i nuk e kishte në plan ta vinte në skenë. Është shumë i madh, ekonomikisht, artistikisht, me shumë njerëz. Unë zgjodha një suitë. Mendoj që është më mirë kjo sesa pa gjë fare.
Cila është historia e "Rajmondës" dhe "Spartakut"?
Janë dy suita të veçanta. "Rajmonda" ka një histori tjetër, një histori romantike, që shënon mbylljen e romantizmit në krijimtarinë e baletit, në vitin 1896. Është krijimtaria e fundit romantike. "Spartaku" i përket gjysmës së shekullit të XX, bëhet fjalë për një koncept më kontemporan, por jo modern.
Baleti "Spartaku" është kontemporan si koncept, si zhvillim muzikor, si partiturë muzikore dhe koreografike. Flasim për periudhën "Golden Age" të "Balshoi Theatre", ku krijimtaria e Yuri Grigorovich filloi të ndryshojë, në një farë mënyre, edhe atë çka ishte pjesë e repertorit romantik.
Krijimtaria e re, që atëherë quhej realizmi socialist, padyshim ndikoi edhe në krijimtarinë e Grigorovich-it. Më vonë, edhe pse ai iu përmbajt në një farë mënyre, edhe iu largua politikës, krijoi këtë balet, që është një nga gjigantët e baletit botëror.
Cilët janë protagonistët që keni zgjedhur?
Balerina Erisa Gina do të interpretojë në të dyja suitat në rolin e Rajmondës tek suita "Rajmonda" dhe të Frinjës tek "Spartaku". Astrit Zejnati rikthehet në skenën shqiptare në rolin e Jean De Brienne tek "Rajmonda".
Në këtë shfaqje interpretojnë edhe disa balerinë pjesëtarë të "Ajkun Ballet Theatre", balerini korean Se Jong Kim, në rolin e Crasus, si dhe Marie-Lorene Fichaux në rolin e Aegina. Ndërsa unë interpretoj Spartakun.
Për herë të fundit ju keni bashkëpunuar me TOB-in, pak më shumë se një vit më parë. A ka ndryshuar gjendja e trupës gjatë kësaj kohe?
Trupa ka nevojë për shumë punë. Ka nevojë për një sistem kalendarik shfaqjesh të përhershme. Nuk jam këtu për të gjykuar trupën, unë vij për të bërë atë që bëj gjithandej. Nëse unë vij dhe bërtas dhe nuk jam i kënaqur nga niveli, kjo nuk do të thotë se niveli është përtokë. Po për mua duhet të jetë ndryshe, gjithsecili ka një ide të veçantë.
Ju keni qenë pjesë e një Teatrit të Operës dhe të Baletit, këtu në Shqipëri, ndërsa tani keni një kompani tuajën të baletit. Cila nga këto dy forma është më e mira për të prodhuar një art cilësor?
Baletin nuk e ngre as TOB-i, as kompanitë. Sa më të mirë të jenë artistët që prezantojnë diçka, aq më tepër e ngrenë cilësinë e baletit. Në qoftë se flasim për krijimtarinë, nuk ka rëndësi nëse është kompani apo është teatër, rëndësi ka që, ata që e performojnë, e ekzekutojnë ashtu siç duhet. Institucioni mund të jetë shumë i bukur, por ka një trupë që mund të jetë përtokë dhe nuk bën.