Zgjidhen gjyqtarët që do shqyrtojnë "Gërdeci"
Shorti përzgjedh treshen gjykuese. Kryegjyqtari do japë dorëheqjen pasi e shoqja punon me një nga të pandehurit
TIRANË- Kancelaria e Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, hodhi mëngjesin e djeshëm në short elektronik dosjen penale me 28 të pandehurit e Gërdecit, duke caktuar treshen gjykuese që do të gjykojë dosjen.
Si kryesues i treshes gjykuese është caktuar gjyqtari Kreshnik Omari ndërsa anëtarë të kësaj treshe janë caktuar gjyqtari Sokol Tona dhe Martin Deda.
Por, burimet pranë togave të zeza bënë të ditur se kryesuesi i trupi gjykues, gjyqtari Kreshnik Omari, pritet të japë dorëheqjen pasi bashkëshortja e tij punon në një zyre ligjore ku avokat i njërit nga të pandehurit është drejtues i kësaj zyre.
Për këtë arsye, mendohet se gjyqtari Omari do të paraqesë mëngjesin e së hënës kërkesën për dorëheqje pranë kryetarit të komanduar në këtë detyrë gjyqtarit Arben Meçe. Me largimin e Omarit nga treshja gjykuese, pritet që njëri nga dy gjyqtarët Tona apo Deda të marrë kryesuesin e togave të zeza dhe një anëtar tjetër të caktohet përsëri me short elektronik.
Mësohet se dosja penale me 28 të pandehurit e kësaj dosjeje, është depozituar në kryesekretarin e kësaj gjykate vetëm dy ditë më parë, vetëm 20 ditë pas vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për veçimin e dosjes së Fatmir Mediut nga të pandehurit e tjerë.
Dosja penale tashmë me 83 fashikuj të përbërë me 32 mijë faqe "A4" në ngarkim të 28 të pandehurve të kësaj tragjedije, të akuzuar si përgjegjës kryesor të shpërthimit të 15 marsit 2008, ku gjetën vdekjen 26 persona dhe mbi 300 të tjerë u gjymtuan, ndodhet në kryesekretarinë e kësaj gjykate në pritje të gjyqtarëve që do të shqyrtojnë çështjen.
Përveç 28 të pandehurve, dosjes penale i është shtuar me cilësinë e të "pandehurit" edhe firma "Albademil" si person juridik, kompani kjo që kishte për detyrë demontimin e municioneve të lehta e të rënda në ish-repartin e tankeve në Gërdec të Vorës.
Ndërsa, paditë civile që janë bërë tashmë nga Avokatura e Shtetit, 21 familjarët e viktimave të shpërthimit dhe të plagosurit e kësaj tragjedie do të gjykohen nga një treshe tjetër gjykuese të gjyqtarëve të seksionit civil.