E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhumari: Rritje me 18% e investimeve për mbrojtjen e mjedisit

TIRANË, 25 nëntor /ATSH/ Projektbuxheti 2026 për Ministrinë e Mjedisit parashikon rritje të investimeve dhe mbështetje të zgjeruar për përmbushjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm dhe mbrojtjes së mjedisit, në linjë me kërkesat e procesit të integrimit europian dhe Kapitullit 27, që përfshin mjedisin, klimën dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

E pranishme në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, zëvendësministrja e Mjedisit, Elda Xhumari, deklaroi se buxheti i vitit 2026 synon forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe institucionale, teksa informoi se, Ministria e Mjedisit po ecën drejt një modeli të vetëfinancimit të zonave të mbrojtura.

Ajo bëri të ditur se tashmë janë ngritur struktura që gjenerojnë të ardhura nga tarifat e hyrjes në parqe, shërbimet turistike dhe aktivitetet edukative.

“Ne synojmë të qasemi drejt një ekonomie të gjelbër që gjeneron vlerë publike, duke ruajtur natyrën si një burim të qëndrueshëm zhvillimi”, u shpreh Xhumari.

Sipas saj, buxheti i vitit 2026 parashikon një rritje prej 9,2% krahasuar me vitin 2025. Fondet e shtuara do të përdoren për ngritjen e dy stacioneve të reja të monitorimit të cilësisë së ajrit, si dhe për hartimin e projektit të muzealizimit të Qendrës Multifunksionale të Vjosës.

Po ashtu, vijoi zëvendësministrja, është parashikuar rritja e numrit të qendrave të mbrojtjes së pyjeve dhe forcimi i Agjencisë Kombëtare të Mbetjeve. Fondi i pagave do të rritet me 9%, ku pjesa më e madhe do t’i dedikohet pikërisht kësaj agjencie, e cila do t’u ofrojë bashkive ekspertizë teknike dhe standarde moderne monitorimi.

Xhumari njoftoi gjithashtu se 20 milionë lekë janë parashikuar për aderimin e Shqipërisë në Organizatat Ndërkombëtare, në bazë të marrëveshjeve ekzistuese.

“Investimet do të njohin një rritje prej 18% në vitin 2026, me fokus të veçantë tek ndërtimi i një qendre moderne të monitorimit mjedisor. Për përmirësimin e cilësisë së ajrit, parashikohet ngritja e dy stacioneve të reja të monitorimit, me një vlerë totale prej 100 milionë lekësh, pjesë e programit 2026-2028 për zgjerimin e rrjetit që parashikon zgjerimin edhe me 10 stacione të tjera. Ndërkohë, rreth 1 miliard lekë do t’i kalojnë bashkive për të vijuar procesin e vetëpastrimit të mbetjeve urbane. Fondet do të shpërndahen duke pasur parasysh nevojat më emergjente, veçanërisht në bashkitë e Fierit dhe Elbasanit, për shkak të mbylljes së venddepozitimeve ekzistuese dhe mungesës së kapaciteteve përpunuese për garantimin e vijimësisë së menaxhimit të mbetjeve urbane”, deklaroi Xhumari.

Ajo tha se, Projektbuxheti 2026 mbështet 4 plane buxhetore me impakt zhvillimin e mjedisit.

Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, foto: Andrin Hoxh... 1 nga 9

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›