E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ylber Merdani: Ju rrëfej tre ditët e tmerrit të revoltës së Spaçit

Flet ish i dënuari në burgun e Spaçit, dëshmitar i ditëve të revoltës

Nga Vepror Hasani

ylber merdaniDiçka kishte për të ndodhur, por konkretisht se çfarë, askush nuk mund ta dinte. Gjithkush prej nesh kishte filluar të kishte një parandjenjë të keqe, një farë ankthi që dukej sikur kishte filluar të rrinte pezull mbi të gjithë ne të burgosurit e burgut të Spaçit. Po na dukjes sikur hija e vdekjes po na kalonte pranë gjithnjë e më shpesh, prekte me bërryl secilin nga ne dhe largohej. Kjo ndjesi filloi të ndihej ndoshta që dy javë më parë se të shpërthente revolta e Spaçit. Po, po, më kujtohet si sot, na rrëfen Ylber Merdani, banor i qytetit të Korçës, ish i dënuar në burgun e Spaçit, dëshmitar i ditëve të revoltës. Dy javë para fillimit të revoltës, thotë ai, u duk një tufë e madhe korbash, pis të zeza, që kaluan sipër kokave tona. Ato fluturuan mbi kampin tonë me një fëshfëritje të fortë, ashtu siç ndodh kur plumbat fërkohen me ajrin dhe bënë drejt kodrave që ndodheshin përtej përroit, përballë me kampin tonë. Në atë kodër prej kohësh qëndronte e shkruar me gurë një parullë e madhe: Popull Parti – Enver. Sorrat e zeza, që deri atë ditë nuk i kishim parë kurrë të shfaqeshin, u ulën mbi çdo gur të parullës së madhe. Parulla u bë krejt e zezë, ashtu si vetë korbat. Krakaritjet e tyre nisën të dëgjoheshin çdo ditë. Fillimisht askush nuk u kushtoi ndonjë rëndësi të veçantë mbërritjes së korbave, as krakaritjeve të tyre dhe as vendqëndrimit të tyre mbi gurët e parullës. Atij që iu duk e pazakonte prania e sorrave, ishte qeni ynë, i të burgosurve, që ne e thërrisnin Tarti. Që nga çasti i parë, kur ai ndjeu praninë e tyre, ngriti kokën përpjetë dhe nisi të angulliste me një zë të përvajshëm që të ngjallte frikë. Dukej sikur ishte paralajmërimi i vdekjeve që kishin për të ndodhur në kampin tonë. Fillimisht nuk deshëm tu besonim as angullitjeve të Tartit, por thellë-thellë, parandjenja e keqe se diçka do të ndodhte, kishte filluar të zinte vend edhe në shpirtin tonë. Po ndodhte kështu, ndoshta nga që njerëzit e komandës së kampit po shndërroheshin gjithnjë e më shumë në katilë të vërtetë ndaj nesh, ndoshta nga që edhe zemërimi i të burgosurve po bëhej edhe më i madh. Mes njerëzve të komandës së burgut dhe të burgosurve hendeku ishte thelluar shumë. Një det i madh zemërimi qëndronte mes nesh. Të gjitha këto të bënin të besoje te parandjenja se së shpejti diçka do të ndodhte. Tashmë edhe prania e korbave që fluturonin çdo ditë mbi kokat tona dhe ndaleshin në kodrën ku ishte parulla, kishin filluar ti jepnin kuptim parandjenjës tonë. Edhe angullimat e Tartit nuk ishin gjë tjetër veçse një dëshmi e tij, si për të na treguar se edhe ai i ishte bashkuar shqetësimit tonë.

Tentativa për arrestimin e Pal Zefit
Nënoficer Tuci nuk donte të tërhiqej, ishte detyrë e tij të kapte këtë të burgosur dhe ta detyronte atë të hynte përsëri në dhomat e izolimit, por Zefi vazhdonte me paralajmërimin e tij: Askush të mos afrohet!. Tuci kishte mbetur në një mëdyshje pothuajse të plotë, nuk ishte i sigurtë nëse duhej ti afrohej Pal Zefit ose jo. Të burgosurit vështronin herë nga nënoficeri, herë nga kolegu i tyre. Ankthi ishte i madh. Zefi vazhdonte të shtrëngonte hekurin që mbante në dorë. Nëse ai do të rezistonte, kjo do të ishte një fitore e madhe për çdo të burgosur, por edhe e kundërta, dorëzimi pa kushte i tij do të ishte një humbje po kaq e madhe për ta. Njeriu i komandës së burgut ende vijonte të qëndronte i stepur. Për të, gjithçka po bëhej edhe më e qartë; nëse do të guxonte të afrohej, atëherë ai edhe mund të mbetej i vdekur, i goditur nga shufra e hekurit. Zemërimi i Palit ishte i madh, paparashikueshëm, i frikshëm. Hekuri në duartë e tij ishte shndërruar në një armë vdekjeprurëse për gjithkënd që do të vepronte kundër vullnetit të tij. Prisnin çdo të ndodhte. Atë çast vunë re se nënoficeri hoqi dorë nga vendosmëria e tij për të detyruar Zefin të kthehej në dhomën e izolimit. Tuci kishte vendosur të kërkonte ndihmën e komandës. I vetëm do ta kishte të pamundur të ndërmerrte ndonjë hap që të rezultonte i suksesshëm. Vështrimet e të burgosurve të tjerë po bëheshin më të ashpra. Nuk ishte çudi që ata të hidheshin në sulm, madje dukeshin sikur po hidheshin Pikërisht në këtë kohë, kur Tuci vendosi të kërkonte ndihmën e komandës, Pal Zefi, braktisi barakën ku kishte zënë vend dhe u ngjit mbi tarracën e ndërtesës, aty ku gjendeshin edhe të burgosurit e tjerë që do të niseshin për në punë. Mes të burgosurve u ndje më mirë. Çuditërisht të gjithë panë se si edhe Tarti shkoi pranë Pal Zefit duke e vështruar çuditshëm, si për ti thënë: E kuptoj, asgjë nuk ka për të përfunduar me kaq. Tarti, ky qen i çuditshëm, përcillte të burgosurit për në punë çdo mëngjes. Ai nisej me të burgosurit e turnit të parë, i çonte ata në minierë, ose më saktë deri te vendi që quhej kthesa dhe kthehej përsëri në kamp me ata që kishin përfunduar turnin e tretë. Më pas çonte në punë turnin e dytë dhe sillte në kamp ata që kishin përfunduar turnin e parë. Çuditërisht, ai qen ishte gjithnjë i vëmendshëm. Edhe tani që diçka ishte duke ndodhur, ai dukej sikur përpiqej të kuptonte diçka më shumë. Tarti ishte një krijesë mjaft intelegjente; sa herë që në kamp sillnin të burgosur nga rrethet, ai u afrohej pranë dhe sillej miqësisht me ta sikur ti kishte njohur prej kohësh, kur ndodhte që në kamp të hynin njerëz të Prokurorisë apo nga Ministria e Brendshme, atëherë ulërima e tij ishte një piskamë e vërtetë, ashtu siç kishte filluar të bënte që prej dy javësh, që nga dita e parë kur pa se mbi kamp po fluturonte një tufë e zezë korbash. Megjithatë, sido që të ndodhte, Tarti e kishte zgjedhur pozicion e vet, ai do të qëndronte si gjithnjë me të burgosurit.

Alarmimi i komandës
Situata ishte bërë edhe më e nderë, vazhdon të tregojë tre ditët e tmerrit të revoltës së Spaçit, Ylber Merdani. Nënoficer Tuci sapo kishte vënë në dijeni oficerin e rojës së repartit Fejzi Liçon. Ai bënte detyrën e punëtorit operativ të Sigurimit të Shtetit. Edhe ky i fundit, që me sa duket kishte mbetur i tronditur nga lajmi që sapo kishte mësuar, kishte vënë në dijeni pa asnjë vonesë oficer Sulejman Manokun, kryetarin e degës së zbatim vendimeve penale. (Gjithçka mbi veprimet e komandës do të mësohej më vonë). Drejtuesit e kampit kishin mbetur të befasuar; si ishte e mundur që një i burgosur të mos i bindej asnjë urdhëri. Komanda doli me një vendim të prerë: Pal Zefi duhej të kthehej në dhomën e izolimit një çast e më parë. E kundërta nuk duhej të ndodhte. Që nga momenti i daljes së Pal Zefit nga dhoma e izolimit e deri më tani, kur ishte dhënë urdhëri i prerë i komandës, kishte kaluar më shumë se një orë Pal Zefi vazhdonte të qëndronte në taracë mes të burgosurve. Edhe të burgosurit prisnin të përballeshin me veprime të tjera. Befas të gjithë panë se njeru i sigurimit të shtetit, Fejzi Liço, i shoqëruar nga Mark Tuci dhe dy persona të tjerë, pasi u gjend afër me Pal Zefin, por jo aq pranë sa hekuri të arrinte mbi kokën e ndonjërit prej tyre, i kërkuan të burgosurit rebel që të kthehej në dhomën e izolimit. Ndërkaq, si për të treguar se ishin miqësorë me të burgosurin, pavarësisht se ai kishte thyer rregullat, tentuan të hedhin edhe një hap tjetër përpara, por hekuri që Zefi mbante në dorë u ngrit përpjetë. Nëse do të ndodhte që punonjësit e komandës të bënin hapin fatal, atëherë dikush prej tyre do të gjente vdekjen e sigurtë. Oficerët dhe nënoficerët u shtangën. Kuptuan se nuk mund të bënin dot asgjë. Vështruan nga të burgosurit. Edhe sytë e tyre ishin errësuar edhe më shumë, vështrimet ishin bërë edhe më të ftohta dhe më të frikshme. Të gjithë dukeshin sikur thoshin: Largohuni që këtej, Pal Zefi është i pafajshëm, ai nuk mund të kthehet më në dhomën e izolimit, ai nuk dëshiron të

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›