E Diel, 1 Nëntor 2026

Ylli në Romë: Mbështetje italiane për ngritjen e Komitetit Paralimpik të Shqipërisë

TIRANË, 16 prill /ATSH/ Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, zhvilloi një vizitë zyrtare në selinë e Komitetit Paralimpik të Italisë, ku u prit nga presidenti Marco Giunio De Sanctis.

Gjatë takimit, palët diskutuan mbi ofrimin e asistencës dhe konsulencës teknike për ngritjen e Komitetit Paralimpik të Shqipërisë, një hap i rëndësishëm në zhvillimin e sportit paralimpik në vend.

Ky proces vjen pas ndryshimeve të fundit në legjislacionin sportiv, të cilat krijojnë bazën e nevojshme institucionale për themelimin e këtij organizmi.

Ylli vlerësoi përvojën dhe ekspertizën italiane në këtë fushë, duke kërkuar mbështetje konkrete për strukturimin dhe organizimin e komitetit të ri, si dhe asistencë teknike dhe logjistike në fazat e para të funksionimit.

Nga ana e tij, De Sanctis shprehu gatishmërinë e plotë të institucionit që drejton për të mbështetur Shqipërinë, duke konfirmuar vullnetin për ndërtimin e një partneriteti të qëndrueshëm dhe afatgjatë.

Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, ndërsa u diskutua edhe një agjendë konkrete bashkëpunimi për formalizimin e hapave të parë në këtë drejtim.

Në këtë vizitë, Ylli shoqërohej nga zëvendësministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Endrit Hoxha, presidenti i Federatës Shqiptare të Fencing, Amarildo Omeri, si dhe presidenti i Nderit i Federatës Italiane të Fencing, Giorgio Scarso.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›