E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta e PD-së, policia njofton kufizime të qarkullimit në Tiranë

TIRANË, 16 prill /ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë njoftoi sot disa kufizime në qarkullimin rrugor ditën e nesërme si pasojë e tubimit të njoftuar nga Partia Demokratike nga ora 19:00 deri në orën 22:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Kryeministrisë.

Policia e Tiranës bën të ditur se ka hartuar një plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbarëvajtjen e aktivitetit në vendin dhe orarin e përcaktuar, duke njoftuar se do të ketë kufizime të përkohshme të lëvizjes së automjeteve në disa segmente rrugore kryesore të kryeqytetit.

Konkretisht, nga ora 23:45 e mbrëmjes së sotme deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet qarkullimi dhe nuk do të lejohet parkimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga zona e njohur si “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”.

Ndërsa, nga ora 15:00 e ditës së nesërme deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja e automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Policia e Tiranës apelon për organizatorët e tubimit për respektimin e afatit kohor dhe vendit ku do të zhvillohet tubimi, si dhe kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e lëvizjes me automjete.

Gjithashtu, apelon që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›