E Diel, 1 Nëntor 2026

Ylli takon homologun italian: Thellim i bashkëpunimit strategjik në sport

TIRANË, 15 prill /ATSH/ Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, zhvilloi një vizitë zyrtare në selinë e Komitetit Olimpik Kombëtar Italian (CONI), ku u prit nga presidenti i CONI-t Luciano Buonfiglio, në një takim të nivelit të lartë institucional.

Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe profesionale, duke reflektuar besimin dhe bashkëpunimin mes dy institucioneve olimpike të Shqipërisë dhe Italisë.

Në fokus të diskutimeve ishte forcimi i bashkëpunimit strategjik, shkëmbimi i eksperiencave dhe ndërtimi i mekanizmave konkretë për zhvillimin afatgjatë të sportit.

I shoqëruar nga zëvendësministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Endrit Hoxha, drejtori i komunikimit i KOKSH, Elert Yzeiri, si dhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Fencing, Amarildo Omeri, Ylli paraqiti një panoramë të reformave, programeve dhe arritjeve të institucionit në vitet e fundit.

Ai ndau gjithashtu vizionin për modernizimin e sportit shqiptar, rritjen e standardeve konkurruese dhe përfshirjen më të gjerë të të rinjve në aktivitetet sportive, duke theksuar nevojën për mbështetje nga Italia si një partner kyç.

Nga ana e tij, Buonfiglio vlerësoi progresin e sportit shqiptar, duke e cilësuar atë si një model pozitiv zhvillimi në rajon.

Ai shprehu gatishmërinë e plotë të Komitetit Olimpik Kombëtar Italian për të ofruar mbështetje konkrete dhe për të nisur projekte të përbashkëta, me fokus tek grupmoshat e reja dhe identifikimi i talenteve.

Në përfundim të takimit, Ylli i dorëzoi homologut të tij një ftesë zyrtare për të vizituar Shqipërinë, duke hedhur bazat për një kapitull të ri bashkëpunimi të strukturuar dhe afatgjatë në fushën e sportit.

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›