E Shtunë, 31 Tetor 2026

Yoel Kaplan, rabini i Ballkanit

Magdalena Alla

Me kësulën tipike; ovale, të vogël, në ngjyrë të zezë, mbi çaçkën e kokës. Në ndonjë rast tjetër edhe me kapele të madhe e të zezë e kostum tërësisht të zi. Por që dritë dhe shumë ngjyra tejçon në fytyrë, buzëqeshje.

Me mjekër të gjatë. E sipas traditës ebraike, kur përshëndet iu jep dorën vetëm atyre që i përkasin gjinisë mashkullore dhe thjesht ulje koke ndaj gjinisë së kundërt femërore, pa i puqur duart.

Shqiptarët janë mësuar të shohin rabinë sidomos nëpër filmat amerikanë a dokumentarë. Por me përurimin këto muajt e fundit të sinagogës së parë në Tiranë pas shtatëdhjetë vjetësh, njohjes në vitin 2010 të fesë ebraike si komuniteti i gjashtë fetar në Shqipëri, ndonjë kënd apo rrugë e kryeqytetit po pasurohet dhe ndërkombëtarizohet edhe me rabinë. Ai më përfaqësuesi është dhe do të jetë hë për hë i emëruari si Rabini i Ballkanit, 33-vjeçari Yoel Kaplan.

Që nga viti 2009 në këtë detyrë. Që si zemër të Ballkanit ka zgjedhur Shqipërinë, Tiranën. Këtu e ka rezidencën kryesore nga ku lëviz për të përhapur kulturën ebraike në gjithë gadishullin e vjetër, e për tu kthyer e qëndruar sidomos këtu, në Shqipëri. Sepse është Shqipëria vendi që mbrojti si askush tjetër, e ku gjetën prehjen e ëndërruar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Yoel ndihet i entuziazmuar, i dashuruar, jo më thjesht vetëm virtualisht nga dëshmitë gojore të ngulitura në kujtesë dhe shpirt për të, pa e vizituar, por edhe pas prekjes nga afër të vendit që quhet Shqipëri dhe kohës që po kalon këtu mes shqiptarëve.

E dua shumë vendin tuaj, për njerëzit e mirë që ka. Për ndihmën unikale që iu ka dhënë hebrejve. Shoh edhe shumë të përbashkëta mes dy popujve tanë. Në vuajtjet që kemi kaluar, në ngrohtësinë njerëzore që mbartim, në besën zakonore. Ishte pikërisht besa ajo që u shpëtoi jetën mijëra hebrejve, thotë rabini, i cili edhe prejardhjen e ka nga një familje rabinësh në Izrael.

I ka bërë një tjetër përshtypje edhe bashkëjetesa jonë tipike fetare. Një vlerë që ai po e zbaton edhe vetë në marrëdhëniet që ka vendosur me të gjitha komunitetet fetare në vend. Shkojmë mirë me të gjithë, por sidomos me bektashinjtë.

Pas takimeve të tij edhe me personalitetet më të larta shtetërore shqiptare si presidenti apo kryeministri, po vijon dendurisht kontakte të gjithanshme, sidomos ato me profil ekonomik, por edhe arsimor dhe kulturor në dobi të dy vendeve. Së pari, për të sjellë sa më shumë biznese izraeliane në Shqipëri. Jam dërguar këtu nga vendi im, që tiu kthej shqiptarëve gjithë mirënjohjen tonë për atë që keni bërë për ne. Po e bëjmë me njohjen e Kosovës dhe afrimin e bizneseve izraelite që po vijnë me rekomandimin tonë, e që po mbështeten nga dita në ditë, duke dashur të investojnë aty ku çalon biznesi shqiptar, me projekte në fusha si agrikultura, arsimi, energjitika, shëndetësia, minierat etj. Janë në fazat e para të takimeve dhe së shpejti do të ketë finalizime të rëndësishme, shpresoj. Besoj dhe shoh shumë të ardhme në këtë vend, thotë me entuziazëm Yoel Kaplan.

Shkolla hebraike &bursa falas

Në janar të 2012 në Tiranë do të hapet Balcan Juice College. Pjesë e një rrjeti kolegjesh analoge në qendra të ndryshme ballkanike si Prishtinë, Shkup, Selanik, Podgoricë. Në fillim në Tiranë vetëm pesë klasa me njëzet e pesë studentë. Ku do të mësohet gjuhë, histori dhe kulturë ebraike.

Shteti ebre ofron edhe një tjetër ndihmesë madhore, duke ofruar master me bursa tërësisht falas në Izrael në shtatë degë të ndryshme. Kusht kryesor është të kesh mbaruar universitetin dhe të dish gjuhën angleze.

 

 

Yoel Kaplan

Mosha: 33 vjeç

Vendlindja: Brooclyn New York

Vendbanimi: Tiranë, Ballkan.

Arsimi: High School Rabin College në Jeruzalem dhe në New York, Miami, Florida. Programe me qeverinë e Izraelit për të implementuar përhapjen e kulturës ebraike tek fëmijët në Izrael. Programe për punë vullnetare për shëndetin dhe shkëmbime kulturore.

“E dua shumë vendin tuaj, për njerëzit e mirë që ka. Për ndihmën unikale që iu ka dhënë hebrejve. Shoh edhe shumë të përbashkëta mes dy popujve tanë

 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›