ZGJEDHJET DHE EMËRIMET, KRIZA E POLITIKËS
MOIKOM ZEQO
20 vjet të zbatimit të evoluar të sistemit demokratik të votimit në Shqipërinë post-totalitariste e kanë kondensuar dhe shpalosur një përvojë të arsyetimit logjik. Të zgjedhësh do të thotë të votosh, të zgjidhesh do të thotë të votohesh. Kjo është formula. Në dukje tepër e thjeshtë. Më lakonikisht: e drejta për të votuar është e njëjta e drejtë që edhe të votohesh. Rusoi dhe Monteskjeja gati e shenjtërojnë këtë të vërtetë demokratike.
Por votimi instituticionalizohet nga ekzistenca e partive politike. Partitë personalizohen në emra të veçantë, gjë që përbën parimin klasik, por dhe të ndërlikuar të përfaqësimit politik. Kjo gjithashtu duket e thjeshtë, por nuk është aspak kështu.
Si përcaktohen emrat? Çpërfaqësojnë emrat? Programet politike të partive kanë karakter gjithëpërfshirës për elektoratet përkatëse, pra kemi në fakt një abstraksion të pashmangshëm, kurse konkretësia e përfaqësimit arrihet ndërmjet njerëzve, që supozohen më të spikaturit dhe më të zotët, më të denjët për tu zgjedhur. Kjo ka lidhje jetike me substancën e lidershipëve të partive politike, substancë e cila nuk mund të ngurtësohet artificialisht nga sipër, për të qenë të hapur përherë nga poshtë. Ky normalitet i supozuar, sipas Max Veber-it është një ligjësi zhvillimi progresiv për të shmangur me kujdes vdekjen konceptuale të sistemit demokratik.
20 vjet rresht në Shqipëri vërtet është eksperimentuar sistemi demokratik i votimit, por edhe me plot kontradikta dhe gabime të dhunshme, të përsëritshme dhe gati ciklike. Këtu kemi pikën inkandeshente të një reflektimi serioz dhe vizionar.
Sidomos të dy partitë e mëdha PS dhe PD kanë rastin historik që të konceptualizojnë veprime korrigjimi për të ardhmen e tyre dhe të demokracisë shqiptare, për të stimuluar një besim ( tashmë të humbur, të bjerë, të shkalafitur) te doktrina demokratike si funksionalitet dhe instrument shoqëror të padeformueshëm, suksesiv, real. Kthimi i dy partive të mëdha në kasta të mbyllura politike duket te filozofia meskine, personaliste, klanore e formësimit të lidershipëve të tyre.
Kjo e ka zbehur fuqinë frymëzuese dhe magnetike të dikurshme të të dy partive që zotërojnë në mënyrë alternative qeverisjen e Shqipërisë për 20 vjet rresht.
20 vjet nuk janë pak. Por për mendjet e ndryshkura rutinore të politikanëve të bajaraktarizuar mbase 20 vjet janë thjesht 2 vjet- të familjarizuar, të intimizuar, të droguar, të iluzionuar për një kohë të gjatë me pushtetin, këta politikanë e konsiderojnë të ardhmen të barasvlefshme me të kaluarën. Nocioni i tyre i kohës është fetishizimi absurd i së tashmes, ose ngjashmëria e së ardhmes vetëm me të tashmen. Por ky subjektivizim i kohës është veçse grotesk.
Lidershipët e dy partive të mëdha kanë si kusht të ekzistencës parapëlqimin dhe besnikërinë rituale të kryetarëve. Vështirë të gjesh personalitete të vërteta në këta lidershipë me figura mediatike, diletantë virtualë të politikës, me ndonjë përjashtim, por që konsiderohet sipas mentalitetit klanor si bezdisës. Është urgjente që të dy lidershipët e partive të mëdha të hyjnë në procesin e zgjedhjeve politike me ndryshime figurash të pakonsumuara, me atribute intelektuale të fuqishme, me integritet moral të padyshimtë. Por kjo mundësi politike e domosdoshme ngjan thjesht si mundësi hipotetike, teorike.
Jam skeptik: nuk ka gjasa të ndodhë një vizionarizëm i tillë shpëtimtar, kurativ, imunologjik për partitë e vërteta moderne që vitalizojnë vetveten, që zhvillimi i partive të jetë edhe zhvillimi i shoqërisë dhe e ndërsjella. Nga ana tjetër, ligji aktual zgjedhor në Shqipëri e ka një domethënie katastrofike në konceptim: kryetarët e partive firmosin me fuqi të plotë juridike listat e emrave të kandidatëve për deputetë, që iu serviren elektorateve. Elektoratet votojnë demokratikisht listat e emrave në substancë të emëruara nga kryetarët e partive. Zhbëhet kështu serioziteti, madje dhe kushtetutshmëria e procesit zgjedhor. Kjo nuk mund të mohohet dot. Loja mediatike, marramëndëse etj., e shpërfill këtë gabim më shumë se të qëllimshëm, që i leverdis autoritarizmit dhe subjektivizmit të kryetarëve të plotfuqishëm dhe të pakundërshtueshëm. Dikur nuk ka qenë kështu. Por as në të ardhmen nuk duhet të jetë kështu. Ja që përsëri e tashmja fetishizohet mjerueshëm, por pa perspektivë të vërtetë. Dalim kështu te paradigma fatale jo të zgjedhurit, por të emëruarit janë gjithçka, por edhe asgjë Nëse politikanët kryesorë i emërojnë figurat e politikës, përse duhen zgjedhjet popullore?
Kujt i duhen lidershipët me ushtarë prej plumbi? Çlidhje ka demokracia si tërësi me fragmente, që nuk i artikulojnë zgjedhjet e lira, demokratike dhe të ndershme? A nuk janë emërimet paraprake një manipulim mefistofelian i nocionit universal të meritokracisë dhe një aksident mendor ndaj demokracisë reale? A mund të ecet më tej kështu? A është thjesht i mjaftueshëm kriticizmi publik dhe profesional,kushtetues? Logjika dhe dialektika e mendimit të lirë dhe konstruktiv? Apo mund të ndodhë për dy partitë e mëdha te ne ajo që u ndodhi dhe partive të mëdha tradicionale në Greqi, a në vende të tjera europiane, që iu rrudhën në mënyrë të pabesueshme elektoratet dhe votat?
Politika është plot të panjohura algjebrike thonë filozofët e politikës. Politika nuk pranon diletantizëm. Politika është sublimimi i një kulture të shumëfishtë, që duhet njohur dhe përvetësuar në ind, në thelb. Politika nuk është një klounadë spektakolare, por një pakt publik partneriteti specifik me një dinamikë të pandalshme asnjëherë. Dinamika ka ndryshueshmërinë që quhet histori! Jo statuskuoja!
Shqipëria politike aktuale po përjeton dualizmin si kundërshti konceptuale të të zgjedhurve dhe të të emëruarve, pikërisht në rrafshin e një krize të vështirë për tu menaxhuar nga mediokriteti politik i ditës! Apo nga retorika e neveritshme dhe boshe!
ZGJEDHJET DHE EMËRIMET, KRIZA E POLITIKËS burimi: Gazeta Shqip