E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulevardi i Ri i Tiranës: tani kërkohet pezullim

Lavdosh Ferruni

LAVDOSH FERRUNI

Në këtë nxitim të madh prej tri ditësh, ku z. Basha me ca të tjerë të tijtë do marrë vendim për të ardhmen e Tiranës për 50 vitet e ardhshme, u tha se edhe qytetarët mund ti bënin pyetje prezantuesve të dy studiove fituese në konkurrim (DARdhe Grimshaw) për projektin e Bulevardit dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. Duke qenë i sigurt se pyetja ime do shkonte në vesh të shurdhët, sa kohë Basha do ta shpallë fituesin, unë, si qytetar, duke qenë i bindur se asnjë prej studiove nuk duhet të jetë fituese, po ia drejtoj pyetjen publikut, politikëbërësve e vendimmarrësve të vendit. Më tej, pyetjes sime do ti përgjigjem po vetë.

Pyetja ime, krejt indiferente nga profesionalizmi i studiove të huaja arkitekturore fituese e jofituese, është: këto dy variante të propozuara të zgjatimit të bulevardit, por dhe të zgjerimit të 1/5 së territorit të Tiranës, si dhe sa ndikojnë në zhvillimin e Shqipërisë? Shtesa e dhjetëra e qindra ndërtesave, shumica mbi 20-katëshe në Tiranën super të ngjeshur, që do të mundësojnë sipas propozuesve akomodimin e 1 milion banorëve në Tiranë, shifër që arrihet në vitin 2017 dhe shumë më tepër në vitet që pasojnë, a bëhet pol thithës migruesish nga pjesë të tjera të vendit, duke dëmtuar rëndë zhvillimin e qëndrueshëm rural dhe parimin e zhvillimit hapësinor të barabartë në Shqipëri? A mund të flasim për zhvillim të qëndrueshëm, nëse gjysma e popullsisë së vendit jeton vetëm në aksin TiranëDurrës, ku nuk ka as minerare, as pyje e kullota ,as burime ujore, e fare pak tokë bujqësore por shumë, shumë fare pallate?

Bota e zhvilluar ka arritur të kuptojë se qytetet e vogla dhe mesatare janë modeli që duhen ndjekur. Këtë po përpiqet të rimodelojë Europa edhe pse shumë qytete të saj kanë qenë vatra të zhvillimit industrial qysh prej 200 vjetësh, kur përqendrimi i popullsisë ishte domosdoshmëri e kësaj etape zhvillimi. Shqipëria sot po ndjek shembullin më të keq të mundshëm, atë të rritjes së tipit të superqyteteve të Afrikës e Amerikës Latine. Arritjet teknologjike në kohën e sotme në telekomunikacion, internet, energjitë e rinovueshme të aplikueshme në zona marxhinale etj., ndihmojnë së tepërmi në zhvillimin kapilar të një vendi. Për më tepër vendet e vogla si Shqipëria, që nuk zotërojnë industri të rënda apo qendra ekonomike globale, të cilat kërkojnë përqendrime të mëdha, por janë vende që prioritet kanë shërbimet, bujqësinë apo dhe industrinë e lehtë, stimulimi artificial i rritjes së qendrave të mëdha të banimit si në shembullin e Tiranës, jo vetëm që nuk garanton zhvillim të qëndrueshëm të vetë qendrës, por e çon vendin në një trajektore krejt të paqëndrueshme nga pikëpamja e zhvillimit social-ekonomik.

Të dyja studiot konkurruese për Bulevardin e Ri të Tiranës duket se mbartin me vete detyrat e projektimit të vendosura jo nga urbanistët, që i dinë mirë tendencat e zhvillimeve urbanistike botërore, por nga bizneset e ndërtimit, që thjesht duan hapësira fitimi sot, dhe që natyrisht nuk duan të dinë se çdo të ndodhë në 10 vjet e më shumë në Paskuqan, në Burrel, apo në Kukës. Nuk pretendohet sot se këta politikanë që qeverisin sot vendin vërtet janë të preokupuar se si do zhvillohet Shqipëria për 50 vjet, se si do ushqehen këta qindra mijëra njerëz të joshur me pallatet e panumërt 20-katesh në Bulevardin e Ri, kur sinjalet janë të qarta, se çdo vend duhet të mendojë për sovranitetin e ushqimit të popullsisë së vet, pasi klima po ndryshon, popullsia në botë po rritet, mjedisi po ndotet dhe burimet natyrore po shterojnë. E dëgjuam Bashën tek tha të hënën se …në këto tri ditë ne do ti kushtojmë gjithë kohën dhe vëmendjen tonë dhe nëpërmjet mediave, do të kërkojmë edhe vëmendjen e qytetarëve të Tiranës, për të marrë këtë vendim përfundimtar dhe për ti çelur rrugë zbatimit të menjëhershëm të këtij projekti. Lëreni vëmendjen e qytetarëve mënjanë, por vini re zbatimin e projektit, i menjëhershëm. Vërtet ky është prioritet i qytetarëve të Tiranës e së gjithë Shqipërisë sot?

Kemi diskutuar me botën e biznesit, impaktin e menjëhershëm që implementimi i projektit do të ketë në hapjen e mijëra vendeve të punës për qytetarët e Tiranës dhe impaktin afatgjatë në krijimin e një impulsi të ri dhe një poli të ri zhvillimi ekonomik për Tiranën, për Shqipërinë dhe në fakt për të gjithë rajonin, shtoi Basha në retorikën e tij.

Këtu lind pyetja. Po sikur këto mijëra vende pune (të menjëhershme) të hapeshin në pjesë të tjera të vendit dhe jo në Tiranën super të populluar, që radhitet në 15 qytetet e botës me dendësi më të madhe të popullsisë për km², dendësi që krijon dhe super ndotje e super sëmundje? Përgjigjja nuk ka lidhje as me punësimin as me Polin e zhvillimit ekonomik, por thjesht me çmimin e lartë të pritshëm të shitjes për m² ndër 20-katëshit e shumtë, që pritet të hedhin themelet, prej bizneseve të ndërtimit që nuk duan ti shkulen Tiranës, deri sa ta asfiksojnë atë.

Një tjetër spekulim që bëhet me projektin e Bulevardit të Ri është shtimi i sipërfaqes së gjelbëruar të Tiranës, duke treguar ca njolla të gjelbra në makete. Fakti është se me ndërtimet shumëkatëshe aty, rezultati është fare i qartë, sipërfaqja e gjelbër për në m² për frymë, krahasuar me shifrat e sotme, ulet ndjeshëm.

Sot, ajo që minimalisht Basha do të duhej të bënte është të pezullojë këtë konkurs, që nuk ka të bëjë fare me zhvillimin e qytetit të Tiranës, por thjesht me rritjen e fitimeve dhe përfitimeve të disa individëve, përfshi dhe vendimmarrësit e këtij projekti. Ky projekt do të mund të hidhej për konkurrim me alternativa të tjera, të dala pas diskutimit të munguar për hartimin e Planit të Përgjithshëm Kombëtar, i cili është detyrim ligjor sipas ligjit për planifikimin e territorit.

Bulevardi i Ri i Tiranës: tani kërkohet pezullim burimi: Gazeta Shqip

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›