E Enjte, 5 Nëntor 2026

ZVICËR – Konferenca për Ukrainën zbulon pikëpamje të ndryshme për paqen

ZVICËR, 15 qershor /ATSH-DPA/- Pas më shumë se dy vjet lufte në Ukrainë, përfaqësuesit e më shumë se 90 shteteve janë në një konferencë në Zvicër duke kërkuar mënyra për të arritur paqen, por pikëpamjet e tyre ndryshojnë në atë se sa është në të vërtetë progresi i mundur.

“Ne kemi arritur t’i japim një shans diplomacisë”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përpara fillimit të samitit të paqes të iniciuar nga Kievi dhe qeveria zvicerane në Burgenstock.

Takimi dyditor i 92 shteteve dhe tetë organizatave ndërkombëtare pritet të rrisë përpjekjet e përbashkëta për të ndaluar luftën dhe krijuar besim dhe paqe”.

“Ne kemi arritur t’i japim një shans diplomacisë”, tha Zelensky.

“Qëllimet tona janë modeste”, tha presidentja zvicerane Viola Amherd, duke shpjeguar se qëllimi i konferencës ishte të frymëzonte një proces për një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë.

“Rëndësia e së drejtës ndërkombëtare si bazë e rendit ndërkombëtar është thelbësore për këtë. Sulmi i Rusisë e shkel këtë në mënyrën më serioze”, tha Amherd.

Kancelari austriak Karl Nehammer paralajmëroi për rrezikun e të ashtuquajturit “t’u flasësh pro ose kundër diçkaje njerëzve që tashmë janë dakord me mendimet e dikujt”.

“Ne jemi si në një dhomë jehone perëndimore. Jemi të gjithë dakord, por kjo nuk mjafton”, tha kreu i qeverisë austriake në takimin dyditor.

“Pa Azinë, Afrikën dhe Amerikën e Jugut, ne nuk do të jemi në gjendje ta bëjmë Federatën Ruse të ndryshojë mendje”, tha ai.

“Vende të tilla si India, Brazili, Kina dhe Afrika e Jugut janë veçanërisht të rëndësishme këtu”, tha ai.

“Fakti që India dhe Brazili u përfaqësuan në takim – edhe pse jo në nivel ministror – ishte “drita e parë e shpresës”, tha Nehammer.

Bisedimet vazhdojnë deri të dielën

Pjesëmarrësit e samitit, të cilët u mirëpritën individualisht nga Zelensky dhe Amherd sot pasdite, do të diskutojnë tema të tilla si, siguria bërthamore deri të dielën.

Këtu përfshihet centrali bërthamor Zaporizhias i pushtuar nga Rusia dhe refuzimi i përdorimit të armëve bërthamore.

Ata do të diskutojnë gjithashtu eksportet e grurit të Ukrainës në Detin e Zi, të cilat janë veçanërisht të rëndësishme për Jugun Global, dhe shkëmbimet e të burgosurve.

Mikpritësit zviceranë janë përpjekur për muaj të tërë për të bindur sa më shumë vende që të ishte e mundur –  të merrnin pjesë në samit.

U ftuan 160 vende dhe më shumë se 90 pranuan ftesën, shumë prej të cilëve u përfaqësuan nga krerët e shteteve dhe kryeministrat. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›